Në një intervistë për SHEKULLI-n, shkrimtari Pandeli Koçi tregon disa të vërteta të hidhura. Ai gjatë sistemit komunist ka punuar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Ai na rrëfen rastet se kur mund të censurohej një shkrim gjatë këtij sistemi, duke këmbëngulur se autocensori më i fortë i një materiali ishte vetë autori i tij.
Gjithashtu, ndalet edhe te shkrimtarët disidentë në vendin tonë, që sipas tij, kanë qenë shumë të paktë. Ai në një intervistë për Shekullin përmend si disidentë vetëm Kasem Trebeshinën dhe Pano Taçin. Kjo, sepse sipas Koçit, disidenca në Shqipëri ka qenë ndryshe nga vendet e tjera të Lindjes.
Në Shqipëri nuk lejohej që të botohej asnjë varg kundër ideve të kohës. Ndërsa për dokumentet që botohen duke dhënë raporte nga Lidhja e Shkrimtarëve, ai tregon se nuk është i bindur për vërtetësinë e tyre. Ndonëse në to është edhe emri i tij, apo emri i Dritëro Agollit, i cili, sipas tij, nuk mund të ishte disident, pasi ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Teksa na rrëfen disa raste, tregon se është gjendur keq gjatë asaj periudhe, vetëm sepse njerëzit niseshin nga zemërime vetjake dhe shpeshherë vinin në këto lista emra që nuk kishin ndonjë disidencë, apo që nuk kishin asgjë kundër realizmit socialist apo ideve të kohës.