14.5 miliardë lekë më shumë fonde buxhetore për vitin 2021 për të çuar deri në fund investimet publike të nisura.
Është kjo kërkesa e ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku drejtuar deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, si e vetmja formë që sipas saj do të shmangte pezullimin e tyre dhe krijimin e detyrimeve të reja.
Komisioni ka shprehur mbështetjen, por ka kërkuar mirëkuptimin e ministres për shkak të presionit që ka shkaktuar pandemia në financat publike.
“Fondi 45% i miratuar për infrastrukturën është i pamjaftueshëm. Ne kërkojmë mbështetjen tuaj për shtesë fondesh, sepse rialokimet i bëjmë vetë brenda ministrisë. E kuptojmë situatën e vështirë, por duhet të çojmë deri në fund projektet e nisura.
Do ta shikojmë më shumë kujdes dhe të rregullojmë çfarë është e mundur. Fokusi do të jenë prioritetet. Ju kërkoni dyfishim por, kjo është e pamundur.
Do shikojmë me vëmendje kërkesat për më shumë para për mirëmbajtjen e rrugëve apo shqetësime të tjera tuajat që janë të drejta”, tha ministrja.
Teksa është ndalur te projektet reja, Balluku ka deklaruar se situata e pandemisë po vonon procedurat e tenderit për Aeroportin e Vlorës, për shkak të gjendjes së vështirë financiare që po kalojnë kompanitë e aviacionit në mbarë botën.
Ajo tha se gara do te rihapet para fundit te këtij viti. Infrastruktura ka marrë në total një fond prej 49.3 miliardë lekësh, rreth 4.2 miliardë lekë më shumë se buxheti i vitit aktual.