Francesco Samengo, presidenti i Unicef për Italinë, ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit me Covid-19. Lajmi është konfirmuar nga vetë zyra e Unicef në Itali, ku thuhet se Samengo ishte një shembull i vetëmohimit dhe i këmbënguljes për të gjithë.
“Ai ishte një udhëzues i sigurt për të gjithë, një shembull i vetëmohimit dhe këmbënguljes së palodhur, një nxitje për të dhënë gjithnjë më të mirën prej nesh në ndjekjen e çështjes së të drejtave të fëmijëve në Itali dhe në botë. Në ballë të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Itali dhe në botë, Francesco Samengo gjithmonë është shquar për ndjeshmërinë e tij të madhe dhe besimin e vendosur se krijimi i një bote më të mirë do të thotë së pari të kujdesesh për më të dobëtit dhe më të pambrojturit, sidomos fëmijët, duke mos lënë askënd pas. Në dy vitet e mandatit të tij ai e udhëhoqi organizatën me shumë përkushtim, pasion dhe përkushtim të pandërprerë,“- thuhet në reagimin e Unicef.
Samengo ka qenë vullnetar i Unicef për më shumë se njëzet vjet, më pas anëtar i bordit të drejtorëve dhe që nga viti 2001 president i komitetit rajonal të Kalabrisë për unicef. Ai ka qenë i diplomuar në ekonomi dhe tregti, i regjistruar në regjistrin e kontabilistëve të autorizuar dhe auditorëve, ai ka mbajtur role të rëndësishme menaxheriale në shumë kompani publike.
g.kosovari