SHBA-ja është në ankth për të mësuar Presidentin e saj të ri e mesa duket kjo gjë nuk do të përfundojë shpejt. Përveç vonesave në numërimin e votave të ardhura me postë, diçka normale siç shkruajnë mediat amerikane, procesi zgjedhor është njollosur nga deklaratat e Trump, i cili është shprehur se duhet ndaluar numërimi i votave me postë pasi janë të paligjshme.
Projeksionet nxjerrin Joe Biden në krye të garës deri në këto momente, ndërkohë që po vijon numërimi në 5 shtete kyçe. Por ndërkohë që Amerika është përfshirë nga ankthi i zgjedhjeve, shteti kundërshtar i saj, Rusia po qëndron në heshtje. BBC shkruan se në këto zgjedhje Rusia i ka pasur pritjet të ulëta.
“Për Rusinë, zgjedhja mes Trump dhe Biden është si zgjedhja mes dy llojeve të ndryshme të vajit të ricinit”, shkruante një media në Moskë.
Nuk ka asnjë dyshim se mes Trump dhe Biden, Kremlini do të zgjidhte si “ilaç” të parin. Trump asnjëherë nuk e ka kritikuar Valdimir Putinin dhe ka bërë thirrje për lidhjen e marrëdhënieve të ngushta me Moskën. Nga ana tjetër, Joe Biden është më kritik ndaj Kremlinit. Prandaj ekziston frika se një presidencë me në krye Joe Biden do të thotë më shumë sanksione për Rusinë.
Moska duket sikur po qëndron në një anë dhe nuk i interesojnë zgjedhjet amerikane, por mediat në fakt kanë qenë më shumë dashamirëse ndaj Trump.
Por a do të ndryshojë kjo gjë?
Një gazetë qeveritare kishte disa vlerësime për kandidatin e demokratëve sot. “Ndryshe nga Trump i prirur nga agresiviteti, Biden ka marrë një pozicion dukshëm më neutral”.
“A është Biden kaq i tmerrshëm?”, pyeste një tjetër media ruse.
Ky ndryshim toni ka bërë BBC-në të shtrojë një pyetje interesante: A po pret Rusia të fitojë Biden?
/a.r