Mediat greke raportonin se SHBA do t’i shesë Athinës gjuajtësit F-35 të ndërtuar në programin e përbashkët me Turqinë, tashmë të anulluar pas prishjes së raporteve mes vendeve.
Sipas marrëveshjes një total prej 20 gjuajtësish multi-funksionalë do të dorëzohen në Greqi, duke përfshirë dhe ato që supozohej të merrte Turqia, duke nisur me dërgesën e parë të gjashtë avionëve luftarakë. Ndërkohë Athina ka nisur të marrë tashmë dërgesat e gjuajtësve Rafale nga Franca.
Prishja e marrëveshjes së gjuajtësve F-35 mes SHBA dhe Turqisë erdhi pasi kjo e fundit vendosi të blejë sistemin mbrojtës raketor S-400 nga Rusia.
Presidenti turk Rexhep Erdogan premtoi se vendi i tij nuk do të integrojë sistemet ruse në infrastrukturën e NATO-s, por tha se ka të drejtë të blejë e të testojë çfarëdo sistemesh ushtarake që dëshiron.
Ankaraja nisi të marrë sistemet ruse në korrik 2019 dhe kjo bëri që Turqia të humbte vendin e saj në programin e gjuajtësve F-35 që SHBA kishte me vendet aleate. SHBA tha se pjesëmarrja ruse në sistemet mbrojtëse të Turqisë ndihmon inteligjencën rivale të marrë informacione të vlefshme teknike.