Ashtu si po ndodh në të gjithë Europën, teksa shifrat janë në rritje dhe kanë nisur kufizimet edhe në Shqipëri, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që duke filluar që nga sot mësimi në universitete të zhvillohet online, në distancë, të paktën për një muaj. Ndërkaq nuk do të hapen as konviktet të cilat shërbenin për strehimin e të rinjve.
Një masë tjetër kufizuese që është diskutuar është dhe mbyllja e bareve, kafeve në zonën e ish Bllokut pas orës 22.00 të cilat konsiderohen si vatra të rrezikshme të përhapjes së infeksionit.
Anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve anti-covid, Mirela Cami tha në “Wake Up” në Top Channel se për momentin nuk është diskutuar për karantinim. Sipas saj, vlerësohen 3 indikatorë para se të merren vendime të rëndësishme.
“Në mbledhjen e fundit të Komitetit, vendimi u mor vetëm në lidhje me mësimin online. Po diskutohet edhe mbyllja e bareve dhe kafeneve në zonën e Bllokut.
Komiteti teknik i ekspertëve, për të marrë vendim analizon tre indikatorë të rëndësishëm. Indikatorin e hospitalizimit, numrin e shtrimeve të rënda dhe pozitivitetin.
Po ta shikoni, si rezultat i shtimit të shtrimeve në spitale para pak ditësh u hap struktura e re Covid.3 dhe në dinamikë do të shihen edhe indikatorët e tjerë.
Komiteti nuk po sheh akoma vendimin për një karantimin gjeografik apo për një karantimin kombëtar. Duket si një opsion më i largët. Po shihen masa me lehta për momentin.
Mund të shihet kufizimi i orareve, puna nga shtëpia dhe më pas do të shihet mundësia e karantinimit”, sqaroi ajo.
Cami tregoi edhe vatrat me të rrezikshme, ku 35% e rasteve janë në kryeqytet.
“Në Shqipëri aktualisht janë 500 vatra dhe 35 për qind janë në Tiranë, të tjerat janë në Durrës, Kukës, Korçë, Shkodër. Këto janë vatrat më të shumta.
Zonat e rrezikshme në Tiranë janë zonat ku ka grumbullime masive të individëve ose zonat me mbipopullim, në të cilat nuk respektohet distancomi social, janë me risk më të lartë”, sqaroi ekspertja.
g.kosovari