Parma vazhdon të jetë “mace e zezë” për Interin e Antonio Contes në “San Siro”. Ashtu si një vit më parë, skuadra emiliane barazoi 2-2 në fushën e zikaltërve, madje ishte shumë pranë fitores pasi golin e dytë e pësoi në kohën shtesë. Probleme të mëdha për Interin në qendrën e mbrojtjes, ku në dy rastet e golave të Parmës de Vrij u kap në befasi nga Gervinho.
Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes sapo nisi në pjesa e dytë, i shërbyer me mjeshtëri nga Hernani, ndërsa në minutën e 62-të, thuajse me të njëjtën skemë, i asistuar nga Inglese, e mposhti për të herë të dytë Handanovicin.
Pas golit të dytë të Parmës, reagimi Interit ishte i shpejtë, me Marcelo Brozovic i cili goditi bukur në hyrje të zonës, duke e lënë të palëvizur portierin.
Pas përpjekjesh të vazhdueshme të dështuara, Interin e shpëtoi Ivan Perisic, pas një krosimi perfekt të Kolavorit nga goditja e lirë. Nuk kishte më kohë për ziklatrit për të shënuar golin e fitores, me Conten që ishte i detyruar të kënaqej edhe me një pikë, kur ishte shumë pranë humbjes.
g.kosovari