Teknologjia në zgjedhje, e veçanërisht identifikimi biometrik është një prej sfidave më të mëdha për institucionin e administrimit të zgjedhjeve, ndaj puna për ta aplikuar atë më 25 prill në të gjitha qendrat e votimit nisi me miratimin e vendimit për llojin dhe karakteristikat teknike që duhet të plotësojnë sistemet dhe pajisjet e identifikimit elektronik të zgjedhësve.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi sqaroi edhe karakteristikat kryesore që duhet të përmbajë impementimi i këtij procesi.
“Teknologjia në zgjedhje e veçanërisht identifikimi biometrik një nga çështjet më të rëndësishme. Drafti që kemi hartuar është vetëm hapi i parë në realizimin e këtij objektivi, por koha e shkurtër që kemi patur na ka obliguar më shumë për ta paraqitur, pavarësisht ngarkesës. Kohën e humbur do përpiqemi ta përfitojmë me angazhim më të madh.
Karakteristikat kryesore që duhet të gëzojë identifikimi biometrik: Sistemi duhet të jetë i mbyllur, pra jo online, që funksionon në mënyrë autonome, të veprojë për çdo qendër votimi, baza e të dhënave që do përmbajë është lista përfundimtate e zgjedhësve dhe do ketë akses vetëm për listën e zgjedhësve të asaj qendre votimi. Në tërësinë e vetë sistemi duhet të sigurojë siguri të plotë edhe për ruajten e të dhënave personale të votuesve. Ky akt do pasohet edhe nga aktet e rregullave sesi do fuknsionojë më pas.” tha ndër të tjera ai.
“Rregullatori” vendosi që për identifikimin e zgjedhësve të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në çdo qendër votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.
Rregullatori sqaron edhe kushtet që duhet të përmbushë ofertuesi i implementimit të teknologjisë.
Ofertuesi i implementimit të sistemit dhe furnizimit të pajisjeve duhet të jetë një kompani me përvojë të suksesshme ndërkombëtare, të gëzojë emër të mirë të njohur botërisht si dhe duhet të ketë realizuar me sukses implementimin e proceseve të identifikimit dhe/ose votimit elektronik në vende me numër zgjedhësish jo më të ulët se Republika e Shqipërisë.
Ofertuesi i implementimit të sistemit nuk duhet të jetë i varur nga asnjë qeveri e asnjë shteti tjetër, as në pronësi dhe as në strukturë. Ofruesi i implementimit të sistemit dhe furnizimit të pajisjeve duhet të garantojë implementimin në 100 % të qendrave të votimit në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ofruesi i implementimit të sistemit dhe furnizimit të pajisjeve duhet të garantojë mirëmbajtjen e sistemit dhe furnizimit të pajisjeve (përfshirë zëvendësimin e PEI brenda 2 orësh) në 100 % qendrave të votimit në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ofruesi i implementimit të sistemit dhe furnizimit të pajisjeve duhet të garantojë trajnimin e trajnuesve të KQZ-së, të ngarkuar për të kryer trajnimin e Komisionerëve të QV, si dhe personave përgjegjës për përdorimin e pajisjeve të identifikimit.”
/e.rr