Kandidati për të marrë presidencën e Barcelonës, Victor Font, po e mbështet fushatën e tij në ëndrrën e shumë tifozëve katalanas, atë të rikthimit të Pep Guardiolës në “Camp Nou”. Njeriu që do garojë për të zëvendësuar Bartomeun, tha se projekti i tij është të ribashkojë ish-trajnerin katalanas, sot në stolin e Manchester City, dhe Lionel Mesin. Në fjalën e tij ai shprehet se do punojë fort për të rikthyer legjendat e klubit si Guardiola, Xavi, Puyol apo Iniesta.
“Jemi me fat që Barcelona ka trashëguar një stil loje që Johan Krujf e nguliti atë në venat tona. Ata që dinë ta bëjnë këtë gjë më së miri janë Guardiola, Xavi, Iniesta dhe Puyol. Që të gjithë këta janë legjenda që e duan Barçën, por që nuk punojnë për ne aktualisht. Ne duam që t’i rikthejmë ata në shtëpi, duke i bindur me projektin tonë.”
Gjithashtu Font vuri theksin te rindërtimi i stadiumit, edhe pse në ditët e sotme është pak e vështirë për shkak të situatës së pandemisë.
“Barcelona ka nevojë për një investim të rëndësishëm për të rindërtuar stadiumin, por ne jetojmë në një botë, e cila po kalon një nga krizat më të mëdha të historisë së saj, pandeminë e Covid-19.”
“Tiki-Taka” do të vazhdojë sipas Font. Mbetet të shihet se ç’do të ndodhë me Kuman, i cili është vënë në drejtim të Barçës nga ish-presidenti Bartomeu.
/a.r