Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje naftëtarëve të Ballshit që ta dalin nga greva e urisë dhe të ulen në bisedime me qeverinë për të gjetur zgjidhje për pagat e tyre të prapambetura.
Gjatë fjalës në Kuvend, duke iu përgjigjur deputetes Rudina Hajdari që ngriti shqetësimin e naftëtarëve,
Rama theksoi se rafineria e naftës nuk është në funksion dhe për këtë arsye nuk arrin të nxjerrë të ardhura.
Kreu i qeverisë përsëriti disa herë se qeveria e drejtuar prej tij nuk bisedon me asnjë palë duke bërë presione dhe ultimatume, e në këtë pikë, kërkoi sërish nga naftëtarët që të dalin nga greva e urisë.
“Duke qenë se znj.Hajdari solli shqetësimin për naftëtarët, dua të sqaroj që njësoj si ajo flasin për vete kur ju referohen hallexhinjve të këtij vendi se hallet e njerëzve nuk zgjidhen me padituri dhe nuk zgjidhen duke gënjyer. Gënjeni nga padituria. Ju thoni që nafta aty po vidhet, ndërkohë që fabrika është e fikur, nuk përpunon asnjë gram naftë. Nga ana tjetër, fabrika përpunon naftën që nxirret nga kompania e cila eksploron fushën pranë. Si vidhet nafta kur bëhet fjalë për një kompania private dhe rafineri të fikur?
Është e pavërtetë që unë hesht. Ne dëgjojmë dhe dëgjojmë shumë mirë. Por ka një problem. Punonjësit e një kompanie private e cila falimenton, trajtohen nga shteti me asistencë sociale. Ne jemi shumë të dëgjueshëm ndaj hallit të tyre dhe e dimë shumë mirë që ata janë aty sepse duan asistencën sociale. Ata duan paga. Nga kush i duan pagat? Nga shteti? Si mund të jetë kështu që një ndërmarrje private falimenton dhe i kërkojnë shtetit që të bartë si trashëgimi borxhin e kompanisë.
Unë po ja u përsëris çdo ditë, që ato të ndalojnë grevën dhe menjëherë jam i gatshëm të shkoj atje dhe të qajmë hallin bashkarisht. Kjo qeveri nuk bisedon në presion. Zonjat ta mbyllin grevën, mos humbasin kohë, sepse për sa kohë do të rrinë aty, nuk ka bashkëbisedim. Nuk funksionon dhe nuk ka për të funksionuar deri kur unë të jem në këtë detyrë. Me naftëtarët e Ballshit ne jemi gati të bisedojmë sapo të mbyllin grevën. Me ultimatumet ‘këto janë pagat, paguaji’, nuk funksionon. Këtu çështja është që nafta nuk po përpunohet”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
/e.rr