Në seancën plenare këtë të enjte është regjistruar një debat mes deputetit Ralf Gjoni dhe nënkryetares së Kuvendit, Vasilika Hysi në lidhje me një emër të përdorur.
Pasi Ralf Gjoni tha se “Pse çfarë pret presidenti? Që Fiqiretja në Dibër të flasë suedisht apo danisht”, Hysi u shpreh se deputeti solli në ilustrim një grua dhe se ai përdor gjuhë diskriminuese.
Në debat u përfshi edhe deputeti i Dibrës, Jakimi, i cili i kërkoi Hysit që t’i tërheqë vëmendjen Gjonit.
Por nga ana tjetër, Gjoni tha se deputetët e tjerë nuk kuptuan analogjinë që u përdor për rastin. “Nëse nuk jeni në gjendje të kapni as minimumin e inteligjencës së batutës nuk di çfarë duhet të them më. Ju kërkoj ndjesë që po përdor një minimum inteligjence në këtë parlament”, tha Gjoni.
Ralf Gjoni: Kundërshtim flagrant thotë me standardet europiane. U pika që nuk iu bie. Standarde europiane juve. Pse çfarë pret presidenti? Që Fiqiretja në Dibër të flasë suedisht apo danisht? Po mirë mo në Qeparo të flasin anglisht meqë e doni. Nuk e kryej me Qeparonë se e kam timin. Cënon integrimin europian thotë dekreti. Uaaa e paparë. Integrimi europian është i vulosur. Negociatat janë të hapura. Po ça keni më që mërziteni, pse ju djeg nuk e kuptoj.
Vasilika Hysi: Ju mund të mos jeni pro Kodit Zgjedhor, por në fjalën tuaj nuk mund të diskriminoni dhe të sillni raste të grave nga Dibra apo kushdo tjetër. Edhe ato në Dibër do mësojnë gjuhën angleze. Sollët në ilustrim grua. Nuk arrini të kuptoni se sa gjuhë diskriminuese me bazë gjinore përdorni në çdo seancë.
Ralf Gjoni: E kisha me Fiqiriun
Vasilika Hysi: Fiqirun, Fiqireten, nuk ka rëndësi. Prandaj të lutem tërhiqe. Kanë të drejtë të mësojnë gjuhën. Nuk ka nevojë për shpjegim sepse gabuat. Mund të ishte lapsus, por më mirë thuaj ndjesë edhe e mbyllim.
Jakimi: Zoti Gjoni stigmatizoi një nënë, një grua, një vajzë dhe preku qarkun Dibër. Duke qenë deputet i asaj zone unë kërkoj nga ana juaj që për politikë nuk duet të bëhen objekt bisedash asnjë zonjë e nderuar, asnjë nënë, asnjë vajzë. Asnjë grua qoftë në këtë sallë dhe jashtë sallës. Do kërkoja shumë që ajo është një grua rurale, qytetare, është në punët e saj sheh drejtimin e saj. Kërkoj nga ana juaj t’i tërhiqni vëmendjen dhe t’i jepni fjalën deputetit në fjalë dhe të kërkojë falje për gjestin dhe veprimin që bëri.
Vasilika Hysi: Faleminderit zoti Jakimi i tërhoqa vëmendjen. I kërkova që të kërkojë ndjesë. I tërhoqa vëmendjen unë. Sot gjoni ka tre masa. Po zoti Gjoni do të kërkoni ndjesë? Vetëm për të kërkuar ndjesë do të të jepet fjala.
Ralf Gjoni: Një minutë. Kanë mbaruar ato komisionet e autokritikës së kohës së komunizmit. Nëse ju i dashur zoti Jakimi dhe kolegë të tjerë dhe zonja Hysi nuk jeni në gjendje që të kapni analogjinë e një batute kjo nuk ka të bëjë fare as me provincat dhe as me gjuhën. Të flasësh suedisht do të thotë që ne me elektoratin tonë nuk mund të presim që të sillemi si suedezë dhe danezë. Sipas vendit dhe Kuvendit. Nëse nuk jeni në gjendje të kapni as minimumin e inteligjencës së batutës nuk di çfarë duhet të them më. Ju kërkoj ndjesë që po përdor një minimum inteligjence në këtë parlament. Ju doni vetëm lëpirësa. Vetëm këtë doni ju.
Vasilika Hysi: E rënduat edhe më shumë, menduat se do të kishit reflektuar.
Ralf Gjoni: Çfarë thashë? Çfarë thashë se latë nam mo. Latë nam. A pika që s’ju bie.
Vasilika Hysi: Duhet të bëni një kurs, të trajtoheni për barazinë gjinore dhe për një parlament me sensibilitet gjinor dhe atëherë do të kuptoni se çfarë thatë.
/a.r