Ditën e nesërme pritet të votohen sërish ndryshimet në Kod Zgjedhor, por presidenti Ilir Meta nuk ka hequr dorë nga tentativat e tij për të “bindur” Kuvendin të mos e bëjë një gjë të tillë.
Pas deklaratës së eurodepitetit gjerman, David McAllister, i cili shprehej i shqetësuar që mazhoranca do të votojë nesër ndryshimet në Kodin Zgjedhor pa pritur opinionin e Komisionit të Venecias, këtë reagim të tij e ka ndarë edhe Meta i cili e ka falenderuar për qëndrimin që ka mbajtur.
Krahas kësaj Meta shkruan se ka ende kohë për reflektim, për të mos e votuar Kodin.
“E falënderoj Kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, z.David McAllister, mik i vërtetë i Shqipërisë dhe popullit shqiptar, për angazhimin e tij të sinqertë e të vazhdueshëm, për zgjedhje të lira e të ndershme. Z.McAllister, si askush tjetër, bëri çdo gjë edhe katër vite më parë, që vendi ynë të mos kishte zgjedhje penalizuese për integrimin europian, siç fatkeqësisht ndodhën. Ka ende kohë për reflektim”, shkruan Meta.
Meta ka kërkuar që votimi të bëhet pas opinionit të kërkur nga Komisioni i Venecias, por një gjë e tillë nuk është pranuar nga mazhoranca.
/e.rr