Nga Andrea Danglli / TemA
Duke u marrë seriozisht me virusin që i ka hapur luftë botës dhe viruset e njëpasnjëshme që hedh politika mes nesh, ashtu si paditur kemi pranuar të prekemi nga një “murtajë mediatike” e cila sa vjen e shtrin pamëshirshëm hartën e saj infektive.
Në emër të modernizmit dhe emancipimit shoqëror, “baballarët e medias” së pas viteve ’90 e kanë shndërruar kutinë televizive në një objekt seksual që në fillim të tundon, pastaj të argëton dhe në fund në pavetëdije të jep goditje të njëpasnjëshme.
Po, përtej çdo çudie që mund t’ju rrotullohet në mendje, ky fenomen është mjaft argëtues pasi përndryshe seksi nuk do të kishte shitur dje, nuk do të shiste sot dhe nuk do të vijonte të shiste as nesër. Madje jam i bindur se nuk e teproj as nëse them që kjo tematikë është magneti më i fuqishëm kur vjen fjala për të thithur audiencë, ndikim, reklama dhe sigurisht, para.
Le të sqarojmë njëherë e mirë se askush nuk është kundër trajtimit të temave që bashkëjetojnë me seksin, humorit të lidhur me të apo trajtimit të një sërë problematikave sociale të shkaktuara prej tij. Absolutisht!
“Murtaja mediatike” nuk nis kurrsesi tek seksi, por te momenti kur ai vendoset brenda kornizave të rrugaçërisë nga “baballarët e medias”. Këta të fundit gjithnjë e më tepër vuajnë së brendshmi nëse qëllon që në mediumet e tyre të flitet për moral, rregulla, parime apo norma njerëzore. Përdorimi gjithnjë e më rrallë i këtij zinxhiri vlerash në hapësirën televizive ka shfaqur edhe disa nga simptomat kryesore ku fatkeqësisht degjenerimi është shndërruar në pishtarin ndriçues drejt udhës së re pa krye.
Në ekranet tona që sa vijnë dhe bëhen më të bukura nga ana vizuale, më të shpejta nga ana teknike dhe më të sofistikuara nga investimet e shumta në burime njerëzore apo skenografi, fatkeqësisht është ulur këmbëkryq varfëria e mendimit e cila gjithashtu është një tjetër simptomë e infeksionit. Çuditërisht, sa më shumë zbukurohen, po aq edhe më shumë shkallojnë duke i vendosur shkelmin në fyt çdo bashkësie vlerash që mund të shfaqet si dritë shprese në horizontet e medias. Në këtë rast as makijazhi nuk bën punë për të maskuar mendjet djallëzore dhe perverse.
Nuk po them që të gjitha programacionet duhet të mbushen me poetë, artistë, historianë, ekonomistë apo njerëz që motivojnë, por ama është therëse deri në eshtër kur sheh sesi në televizionet kryesore në vend, flitet me minuta të tëra për buzët e fryra dhe jo për mendjen e fryrë të një të riu nga studimet; diskutohet me orë të tëra për udhëtimet e shfrenuara në jug të një modeleje që shfaq vithet dhe jo për udhëtimin e karrierës së një intelektuali që mund të frymëzojë me mijëra të tjerë; promovohen femrat si “makineri seksi” dhe jo si gra që kanë brenda forcën, sharmin dhe zgjuarsinë për të ecur para; tregohet se sa jetë të mirë kanë VIP-at, por jo për punën e ndershme që duhet bërë për ta ngritur atë pasuri; flitet sesi një homoseksual që i imponohet publikut do donte të bënte seks me Enver Hoxhën dhe jo sesi ky grup i margjinalizuar duhet integruar në shoqëri për të eliminuar aktet ekstreme nga të dyja palët; shpjegohet sesi bëhet seksi dhe jo sesi bëhet dashuria. Flitet e flitet, shitet e shitet, fitohet e fitohet. Ndërkohë, të humburit e panjohur të kësaj shfaqjeje jemi ne duke i pranuar këto programe të cilat fare lehtë shndërrohen edhe në inkubatorë monstrash.
Gjithçka lartësohet në një treg antivlerash, i cili ngjason me një pazar të vjetër ku duket sikur thuajse në çdo stacion thërritet me zë të lartë: “Kemi degjenerim, shthurje, perversitet! Urdhëroni myshterinj!”.
E tëra kjo ndodh për shkakun se “murtaja mediatike” ka bërë që konkurrenca mes mediumeve të nisë nga të pasmet dhe jo nga truri, nga silikoni dhe jo nga mendimi, nga bërtitjet jashtë çdo civilizimi dhe jo nga arsyeja, nga vulgariteti dhe jo nga kultura, nga mediokriteti dhe jo nga talenti.
Padyshim, ky është më shumë se një infektim kriminal, ku përgjegjës kryesor është Autoriteti i Mediave Audiovizive i cili ka mëse 30 vjet që e thënë në gjuhën e popullit, duket se ha bukë kot nga taksapaguesit shqiptarë përderisa nën hundën e tij po shkohet nga degradimi në degradim.
Dikush mbase duhet t’i pickojë fort institucionalisht për t’i kujtuar se gjenden aty pikërisht për ta shndërruar televizionin në një hapësirë edukative ku njerëzit gjejnë pika orientimi dhe frymëzimi. Imagjinoni se në çfarë mjedisi skandaloz edukativ jetojnë përderisa nuk pyesin as për faktin se ndaj kësaj “murtaje mediatike” janë të ekspozuar edhe fëmijët e tyre, djemtë e vajzat të cilëve po mundohen t’u japin shkollimin e duhur. Çfarë pret AMA që të ndërhyjë për të shkulur rrënjët e degjenerimit qysh sa janë fidanë?!
Prandaj edhe i kemi dhënë në dorë këtë “kamxhik institucional”: që të vëzhgojë, të këshillojë, paralajmërojë dhe ndëshkojë, si masë e fundit. Këtë nuk e ka bërë, por edhe nëse pretendon se e ka kryer detyrën e saj atëherë duhet ta qartësojmë se ato reagimet e ndonjëhershme ngjajnë më tepër si gudulisje sesa si masa që sjellin reflektim dhe nxisin ndryshim. Për më tepër, edhe në herët kur shoqëria ka reaguar ndaj “mendje-ndotësve”, regimet institucionale kanë qenë sa për të treguar që AMA ekziston edhe pse ka pranuar të humbasë çdo lloj autoriteti përballë “baballarëve të medias” që misionin e parimeve e kanë ngatërruar me misionin e klikimeve.
Ndodh që ndonjë nga këta zëdhënësit e fabrikave të antivlerave, si pasojë e infektimit, edhe mund të shtrojë pyetjen “Po ti, o zotëri, ku e ke pultin!? Ndërroje kanalin dhe mos na mërzit!”.
Është e vërtetë që unë e kam një pult në dorë si çdokush, por kjo është zgjidhja më banale që mund t’i ofrohet këtij problemi. Këtu nuk po diskutohet që një nga familjarët të bëjë rolin e policit për të përzgjedhur larmishmërinë mediatike që do ndiqet dhe një tjetër rolin e gjykatësit për të vendosur nëse përzgjedhja ishte edukativ apo çedukuese. Problemi është më i madh e bëhet fjalë për televizione gjeneraliste të cilat shfaqen para fëmijëve dhe të rinjve thuajse në çdo orë të ditës dhe imponojnë helmin e programacionit të tyre, aq sa tashmë çdo program edukativ shihet si “dele e zezë” që duhet zhdukur nga tufa një orë e më parë pasi po dëmton imazhin. Mbase edhe unë në sytë e shumëkujt u duka si i tillë që duhem zhdukur, por ama nuk mund ta lija të vlonte më i gjithë zhgënjimi që më ka kapluar me “baballarët e medias” dhe ulëret së brendshmi: “Boll se na plasët shpirtin, a keni fëmijë?!”.