Nga Eduard Zaloshnja
Presidenti Meta e ktheu në Kuvend ndryshimimin e sistemit zgjedhor, por gjasat janë shumë të mëdha që Kuvendi ta rikonfirmojë përsëri sistemin e ri zgjedhor.
Kjo, sepse ndërmjetësit ndërkombëtarë të marrëveshjes së 5 qershorit nuk kanë mbajtur ndonjë qendrim ultimativ kundër ndryshimit të sistemit zgjedhor, të miratuar në Kuvend më 5 tetor.
Por paversisht se çdo të vendosë Kuvendi, dy fjalë pro apo kundër ndryshimit të sistemit zgjedhor mund t’i themi.
Së pari, fjalët pro. Sistemi zgjedhor i prillit 2008 kishte dy të meta kryesore, të cilat duheshin adresuar: cenonte barazinë e garës brenda çdo zone zgjedhore dhe inkurajonte ekzistencën e partiçkave parazite.
Kodi Zgjedhor i 2008-ës kishte një problem madhor me mënyrën sesi parashikohej llogaritja e mandateve në cdo zonë zgjedhore (qark). Konkretisht, sipas atij kodi, një parti e vogël brenda një koalicioni të madh, mund ta siguronte mandatin në një qark me gjysmën e votave që i duhej një partie tjetër të vogël, që nuk donte të ishte në koalicion me partitë e mëdha. Kështu, PR-ja mund të merrte gjysmën e votave të BD-së së Astrit Patozit në Tiranë, dhe ta siguronte mandatin vetëm pse mund të ishte në koalicion me PD-në. (Kurse Astrit Patozi mund të mbetej pa mandat, vetëm pse nuk do donte të ishte në koalicion me PD-në…).
Ajo mënyrë llogaritje nuk duhej të ekzistonte më në Kodin Zgjedhor, sepse shkelte në mënyrë flagrante barazinë e garës në çdo qark (me përjashtim ndoshta të Kukësit, ku vetëm dy partitë e mëdha kanë shans të marrin mandate).
Sistemi zgjedhor i 2008 i inkurajonte partiçkat e vogla të futeshin në koalicion me partitë e mëdha, sepse edhe kur nuk arrinin të siguronin mandat nga mekanizmi preferencial i përshkruar më sipër, shpërbleheshin me poste zv/ministrash apo drejtorësh nga partia kryesore e koalicionit. Dhe pikërisht ky lloj shpërblimi përzgjaste ekzistencën e tyre parazitare në sistemin politik.
Dhe tani dy fjalë kundër ndryshimit aktual të sistemit zgjedhor.
Ndryshimi i njëanshëme i sistemit zgjedhor vetëm 6.5 muaj para datës së zgjedhje është në kundërshtim flagrant me parimet dhe standartet evropiane të vendosura nga Komisioni i Venecias në Kodin e Praktikave të Mira për Çështjet Zgjedhore, si udhërrëfyesi i vetëm për vendet e Këshillit të Europës për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, të lira e të ndershme. Komisioni i Venecias këshillon që ndryshimet e sistemeve elektorale të bëhen të paktën 12 muaj para zgjedhjeve. Kjo, për t’u dhënë kohë partive opozitare që të rikalibrojnë strategjitë e tyre elektorale, të përgatitura për shumë kohë gjatë ndejtjes në opozitë.
Konkluzion: Sistemi zgjedhor duhej ndryshuar, por pas zgjedhjeve!