Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, nga njësia 2 në Tiranë u ka bërë thirrje banorëve të Kombinatit, Vorës, Shijakut por dhe të gjithë atyre që iu janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti, që të mos dalin nga shtëpitë pa një kontratë të firmosur me shtetin.
Sipas Kryemadhit, banorët duhet të kërkojnë që në kontratë të shënohet dhe që rindërtimi i shtëpisë do të bëhet në të njëjtin vend ku ato janë aktualisht.
“Këtu nga njësia numër 2, përsëri i bëj thirrje banorëve të Kombinatit dhe të Vorës. Të mos ikin nga shtëpitë e tyre dhe të mos lirojnë pronën e tyre pa pasur një kontratë me shtetin shqiptar që iu merr përsipër t’iu rikthejë shtëpitë e tyre në vendet ku i kishin. Sepse ato janë pronarë, të apartamenteve të tyre që do të shkatërrojë Edi Rama dhe janë pronarë të truallit ku janë ndërtuar pallatët që në vitin 1952.
Që i kanë ndërtuar prindërit e tyre dhe gjyshërit e tyre siç kanë ndërtuar kombinatin tekstil. Nëse pallatet do të shemben pa pasur ata një kontratë dypalëshe midis banorëve dhe shtetit, pasuritë e tyre do të zhduken do të fshihen nga regjistrat kadastralë. Ashtu siç ka fshirë pronat e qindra mijëra qytetarëve të tjerë, ashtu siç ka fshirë pronat e bregut të Vlorës.
Sepse duhet ta dinë të gjithë shqiptarët që janë ndërruar 15 drejtues hipotekash në Vlorë për 10 muaj vetëm e vetëm se vidhen pronat e shqiptarëve. Sot, ai do të vjedhë pronat e qytetarëve të Kombinatit, Vorës, Shijakut, të Farkës e të tjerë kështu me radhë. Jo vetëm kaq, por duke gënjyer dhe mashtruar me fondin e rindërtimit.
Ka shpallur fondin e rindërtimit Erion Veliaj 70 milionë euro për Kombinatin, mbi ç’plan, mbi ç’projekt, sa godina do ndërtohen, sa familje do rimbursohen, sa familjeve do iu jepen apartamente. Ka thënë se do t’i çojë banorët e pupiliteve në Vaqarr.
Vetëm 1/3 e apartamenteve që do ndërtohen në Vaqarr do të jenë për banorët 2/3 do të jenë biznese. E pra, kjo gjë ndodh në një zonë që është bastion i socialistëve që e kanë votuar Partinë Socialiste.
Dhe sot shpërblimi kush është? Ngrini plaçkat në krah, preju ujin, preju dritat dhe largohuni nga prona e prindërve tuaj që e kanë larë me gjak”, u shpreh Monika Kryemadhi, kryetare e LSI.
/e.rr