Në një kohë që marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë janë acaruar së tepërmi pas rrëzimit të avionit rus SU-24, Turqia është përfshirë sërish nga spiralja e dhunës. Dhe ata që e pësojnë janë pjesëtarët e pakicës kurde.
Tahir Elci, kreu i Shoqatës së Avokatëve në qytetin Dijarbakir me shumicë kurde në juglindore, u vra në një shkëmbim zjarri.
Disa persona kanë qëlluar me armë ndaj avokatit, dhe gjithçka ndodhi gjatë një tubimi publik.
Në vendngjarje mbeti i vdekur edhe një polic, ndërkohë 3 persona rezultojnë të plagosur.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, i cili në muajt e fundit ka nisur një ofensivë të ashpër kundër kurdëve tha për ngjarjen se “Ky incident tregon se sa e drejtë është treguar Turqia në luftën kundër terrorizmit”.
Avokati i njohur si mbrojtës i të drejtave njerëzore në Turqi ishte arrestuar e më pas u la i lirë, në pritje të gjykimit pasi gjatë një transmetimi live ai theksoi se nuk e konsideronte PKK kurde një organizatë terroriste, siç ishte qëndrimi i Ankarasë zyrtare.