Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, me anë të një statusi në “Twitter” ka konfirmuar pjesëmarrjen e Sekretarit të Shtetit Amerikan Mike Pompeo, në Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit.
Forumi do të zhvillohet më 28 tetor nga Kuvendi i Shqipërisë dhe synon të krijojë një front të bashkuar të vendeve ballkanike për të punuar bashkarisht kundër anti-semitizmit.
Në Forum do të marrin pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe kryetarët e parlamenteve të vendeve të rajonit, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, përfaqësues të Parlamentit të Bosnje-Herzegovinës, si edhe zyrtarë të lartë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Izraeli.
“Lufta kundër antisemitizmit është një domosdoshmëri dhe kritike morale për promovimin e lirisë fetare. Është nderi ynë të shpallim Sekretarin e Shtetit të SHBA Michael Pompeo, si folësin kryesor të Forumit të Ballkanit 2020 Kundër Anti-Semitizmit”, thuhet nw njoftimin e Forumit.
“Mirënjohës ndaj Sekretarit të Shtetit të SHBA Michael Pompeo, i cili sapo konfirmoi se do jetë folësi kryesor i Forumit të Ballkanit 2020 Kundër Anti-Semitizmit”, shkruan Balla.
Sot Kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, propozuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe deputetja Blerina Gjylameti.
/e.rr