Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur hetimet për inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, pasi ka marre në dorë kallëzimet e Partisë Demokratike.
Burime zyrtare nga SPAK, i thanë Televizionit Klan se hetimet do të zgjerohen për të përfshirë çdo pretendim të demokratëve për afera korruptive. Të 3 dosjet do hetohen më vete. Prokurorët e SPAK do të marrin në dorë dokumentet e procedurave të tenderimit.
SPAK sqaroi zyrtarisht për Televizionin Klan, se nga prokuroret e çështjes do të ndërmerren veprime konkrete, por ato nuk mund të bëhen publike.
Deri më tani SPAK pranon vetëm se ka regjistruar veprën penale, por ende nuk ka emra konkret në hetim.
Partia Demokratike ka dorëzuar 3 padi për inceneratorët, ku akuzon Kryeministrin Edi Rama, Ministrin Arben Ahmetaj, Kryebashkiakun Erion Veliaj dhe ish-Ministrin Lefter Koka dhe biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët i akuzon për shpërdorim detyre, pabarazi në tendera dhe për grup të strukturuar kriminal.
Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit thotë se nëse gjatë hetimeve do të dalin emra konkretë, që kanë kryer shkelje, prokurorët do të veprojnë sipas ligjit.
Lidhur me akuzat e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se SPAK nuk po vepron, Prokuroria e Posaçme zgjodhi të mos i komentojë këto deklarata.
/a.r