Qeveria planifikon që vitin e ardhshëm burgu i Zaharisë në Krujë të mbyllet. Nga foltorja e Kuvendit, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se ky institucion është i amortizuar dhe qeveria pritet të investojë në një institucion të ri të vuajtjes së dënimit, me kushte bashkëkohore.
“Rasti i Zaharisë Krujë, i cili padyshim ka dhe shqetësimin tim. Por jemi duke marrë masat që me një investim të ri, të mbyllim Zaharinë Krujë, pas 30 vjetësh, një institucion padyshim që është i amortizuar. Do jetë kjo qeveri që do të investojë për vitin tjetër që Zaharia të mbyllet përfundimisht dhe ata të dënuar të moshuar që ndodhen këtu të akomodohen në një investim të ri bashkëkohor që plotësojnë standardet ndërkombëtare”.
Gjonaj foli edhe për një hetim të nisur për grevën në burgun e Peqinit. Ajo do tha se po hetohet çdo element apo faktor që mund të ketë ndikuar në refuzimin e ushqimit, që sipas saj nisi pas vendimeve të marra për regjimin 41 BIS.
“Shqetësim për mua ka qenë dhe refuzimi i ditëve të fundit të ushqimit me epiqendër burgun e Peqinit, e cila filloi si një reflektim i vendimeve të marra për regjimin 41 BIS, për të cilat po investigojmë që lidhjet e botës krimit të 41 BIS kanë ekzistuar. Sot përveç një hetimi që po kryhet ka një procedim në prokurorinë e Elbasanit, me kërkesën time, për të hetuar çdo element apo faktor të brendshëm, apo të jashtëm, që ka ndikuar në këtë gjë”.
/a.r