Thotë se është një nga ne dhe se në Kosovë ndihet shumë si në shtëpi. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se duhet bërë më shumë që të zbuten pikat kufitare, që kufiri në mes të dy shteteve të bëhet i padukshëm. Ai është shprehur pro bashkimit ekonomik të Kosovës dhe Serbisë dhe se ka pak rëndësi a jemi dy apo një, e rëndësishme që ne të jemi një në politikat zhvillimore rajonale. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ai ka thënë se Kosova duhet të arrijë fillimisht konsensus të brendshëm politik, e më pas të kërkojë të arrijë konsensus me Serbinë. Ndërsa, lidhur me Mini-Shengenin Ballkanik, Ambasadori Minxhozi thekson se ideja është që të ketë bashkëpunim më të gjerë se sa Kosovë-Shqipëri, por edhe me vendet e tjera të Ballkanit.
“Bota sot”: Fillimisht na tregoni si është për ju të jeni ambasador në Kosovë, derisa janë shtete si motra?
Qemal Minxhozi: Është një kënaqësi shumë e madhe të jesh në Kosovë. Unë nuk do doja fare që Shqipëria të kishte Ambasadë në Kosovë, por ky nuk është në vullnetin tonë, është në vullnetin e përcaktuar me shpalljen e pavarësisë që Kosova është shtet i pavarur, Kosova është shtet sovran, me të gjitha të drejtat e saj dhe në këtë rast kemi hapur një Ambasadë, ashtu siç ka hapur dhe Kosova në Shqipëri. Është një diçka e çuditshme që brenda kombit të kesh dy Ambasada, d.m.th që jemi rast unikal, por gjithsesi ne duhet të veprojmë konform rregullave ndërkombëtare që janë përcaktuar me kohë.
“Bota sot”: Është si të jesh në shtëpi besoj…
Qemal Minxhozi: Shumë në shtëpi, shumë në shtëpi sepse unë e kam më lehtë se çdo ambasador këtu, se i çdo vendi tjetër sepse për të hyrë në mentalitetin e popullit, në kulturën, është një proces shumë i gjatë dhe shumë i vështirë për këdo dhe unë jam i përgatitur për këtë. Jam një nga ju.
“Bota sot”: Kemi pasur kampanjën “Pusho Shqip” këtë vit. Si e vlerësoni këtë vit për turizmin shqiptar, derisa e dimë gjendjen me pandeminë e Covid-19?
Qemal Minxhozi: Mendohej se do të ishte edhe më e vështirë. Natyrisht humbjet e mëdha por gjithsesi u arrit që të merrej maksimumi që mund të merrej në kohë pandemie. për herë të parë plazhet e Shqipërisë kanë pasur më shumë se asnjëherë pushues nga Shqipëria, së dyti pavarësisht se emigrantët nga Kosova nuk kanë ardhur se e kanë pasur të ndaluar për arsye shëndetësore, edhe numri i tyre ishte më i madh se çdo vit tjetër, për periudhën që ishte lejuar, po flasim për qershorin, mesin e qershorit, korrik, gusht dhe gjysmën e shtatorit. Ishte një gjë shumë interesante se u rrit shkalla e bashkëpunimit midis institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, nuk pati barriera shëndetësore zyrtare por gjithsesi në një mënyrë të kënaqshme u zbatuan protokollet e përcaktuara më parë. Ajo që do të thosha është se edhe qytetarëve nga Kosova iu dha mundësia që të gjejnë një dritare hapur në një pjesë shumë të rëndësishme të Kosovës, siç është Shqipëria.
“Bota sot”: Së fundmi në Kosovë u prezantua fushata ‘Pusho shqip’ për sezonin dimëror në Kosovë. Sipas jush Kosova edhe pse nuk ka det, a ka mjaftueshëm vende që shqiptarët nga Shqipëria të kalojnë pushimet dimërore këtu?
Qemal Minxhozi: Bëre një gabim, Kosova ka det, sepse ai det është i shqiptarëve. Në anën tjetër ardhje e turistëve të parë, të themi turistë, nga Shqipëria në Kosovë, ka një veçanti pasi është një kompani shumë e madhe turistike që pret njerëz nga Kosova dhe tani erdhi stafi i kësaj kompanie në sezon, të themi në prag dimri në Kosovë. Të jeni të bindur që malet e Kosovës, resurset turistike malore, janë shumë shumë interesante për çdo banor të Shqipërisë, qoftë nga Tirana, Durrësi, Saranda, Vlora e me radhë.
“Bota sot”: Kalojmë pak të çështjet politike. Së fundmi kemi pasur dhe mbledhjen e përbashkët të dy qeverive shqiptare ku u nënshkruan disa marrëveshje. Kryeministri Rama deklaroi se synimi është që të hiqet kufijtë në pika doganore. Cili është komenti juaj për këtë? Kur mendoni se do të ndodhë kjo?
Qemal Minxhozi: Duhet të kemi parasysh që është kthyer në traditë që vit për vit të mblidhen dy qeveritë dhe të diskutojnë për problemet që ka. Nuk do të thotë që me një mbledhje qeverie u hoqën barrierat, sepse kemi të bëjmë me dy shtete që kanë prioritete të veçanta secila prej tyre. Nuk është një qeveri por janë dy qeveri dhe ne mundohemi që t’i afrojmë sa më shumë mentalitetet e dy qeverive, në funksion të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe të tjera. Prandaj, kanë ecur, kemi bërë shumë përpara në këtë drejtim. Ne p.sh në qoftë se krahasojmë vitin 2016 me vitin 2019, ne kemi pothuajse një dyfishim të shkëmbimeve tregtare. Vitin e kaluar janë shkëmbyer rreth 307 milionë euro mallra në të dy anët e kufirit, nga 160 milionë sa kanë qenë në vitin 2016. Dhe kjo vjen si rezultat i kontakteve të vazhdueshme, i heqjes së barrierave dhe ka arritje në këtë drejtim, megjithatë ne duhet të ecim edhe më përpara. Për sa i përket pikës kufitare, d.m.th prapë se prapë ekzistenca e dy shteteve e ka domosdoshmëri për të pasur kufi, por sa do të jemi në gjendje ne për ta zbutur efektin e këtyre kufijve, kjo është shumë e rëndësishme dhe për këtë edhe mbledhja e dy qeverive u fokusua se si ta bëjmë sa më të padukshëm këtë kufi, duke rritur bashkëpunimin. Prandaj, unë mendoj se nuk ka një datë, një kohë, por ne çdo ditë duhet të luftojmë për ta zbutur dhe për ta bërë çështjen e kufirit si diçka imagjinare dhe jo si një realitet konkret. Dhe radhët në kufi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë janë krejt minimale, nuk ka pasur pritje të gjatë, megjithëse ka pasur një intensitet të madh të fluksit të qytetarëve.
“Bota sot”: E thatë edhe ju dhe dihet se jemi dy shtete. Në rast të korrigjimit të kufirit, flitet se në tryezë do të shtrohet çështja e bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. A ju duket diçka reale, a mund të ndodhë apo është temë për konsum të politikave ditore?
Qemal Minxhozi: Unë nuk do të hy në këtë temë, sepse ka edhe shumë spekulime në këtë drejtim por unë jam pro bashkimit, bashkimit ekonomik, ne duhet të rrisim bashkëpunimin ekonomik në një shkallë shumë më të lartë, duke pasur një bashkëpunim, ne mund të shkojmë drejt një ekonomie të vetme të zhvilluar, sepse ne kemi nevojë edhe për investitorë strategjikë, që të mos jenë vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë. Ne duhet të kemi një mentalitet tjetër sa i përket bashkëpunimit të ndërsjellë i cili pavarësisht shifrave që ju thash më përpara, kjo shifër do të dyfishohet në qoftë se ne do të heqim disa barriera që ekzistojnë midis nesh, disa koncepte që duhet të fashiten nga jeta e përditshme dhe të ecim drejt harmonizimit të politikave të përbashkëta për këtë zhvillim që thash.
“Bota sot”: A jeni për dy shtete të ndara por bashkë në BE-së?
Qemal Minxhozi: Pak rëndësi ka a jemi dy apo një, e rëndësishme që ne të jemi një në politikat zhvillimore rajonale, midis Shqipërisë dhe Kosovës.
“Bota sot”: Marrëveshja për Mini-Shengenin Ballkanik po shihet si e dëmshme për shqiptarët, si për ata në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri dhe se favoret do të jenë për Serbinë duke i siguruar dalje në detin Adriatik. A mund të na thuash se a pajtoheni me një konstatim të tillë apo jo?
Qemal Minxhozi: Kur flasim për Mini-Shengenin ideja është për të pasur një bashkëpunim jo vetëm midis Shqipërisë dhe Kosovës por edhe më gjerë. Është shumë e rëndësishme që midis vendeve të këtij rajoni ballkanik duhet gjetur gjuha e përbashkët. Gjuha e përbashkët gjendet duke rritur shkallën e shkëmbimit të eksperiencave të ndërsjella sepse pak rëndësi ka nëse ne do të ndalemi tek termat se sa tek gjërat reale. Ne duhet në kufi të kemi sa më pak ndalesa, ne duhet që mallrat tona të jenë sa më shumë të kontrollueshme, jo vetëm brenda nesh por edhe më gjerë për rajonin, ka nevojë për një bashkëpunim të ndërsjellë edhe për sa i përket problemeve kyçe që kanë të bëjnë me zhvillimin e rajonit, si p.sh rrugët, transporti, etj, etj. Çështja është se ne duhet ta mendojmë rajonin si diçka të domosdoshme që do të sjellë zhvillim në të ardhmen. Nuk mund të bashkëpunosh vetëm ndërmjet vete por duhet shtrirë dhe më gjerë. Prandaj në këtë plan unë mendoj se duhet gjetur mekanizma që ky proces të ecë përpara.
“Bota sot”: Shqipëria së fundmi është mjaft aktive në politikën e jashtme, duke provuar të kenë një diplomaci të sinkronizuar me Kosovën, sidomos edhe në fushën e ofrimit në dispozicion të hapësirave në zyra diplomatike të Shqipërisë për Kosovën. A është dashur një gjë e tillë të ndodhë, si dhe tani që kanë ndodhur a pritet të ketë rezultate të kënaqshme në politikën e jashtme për të dyja vendet?
Qemal Minxhozi: Ne duhet të kemi parasysh se janë disa modele nordike, p.sh ku nuk ka ambasadë të një vendi, e plotëson një ambasadë tjetër që është e rajonit dhe ne në këtë koncept po ecim që të kemi një bashkëpunim sa më të frytshëm, në qoftë se kemi një godinë në një vend, aty të jetë edhe ambasada e Kosovës edhe e Shqipërisë, kur njëri prej tyre mungon, atëherë mund të marrë atributet ose Ambasada e Shqipërisë ose e Kosovës për të mbuluar gjithë gamën e problemeve që janë. Ne kemi një diçka shumë interesante, sidomos në fushën e konsulatave, ne kemi konsulata të përbashkëta në Milano, Mynih, në Kopenhagë e të tjera, prandaj nuk e kemi luksin ne që të mos kemi këtë bashkëpunim, është shumë e rëndësishme që ne të ecim në këtë drejtim. Është një rrugë e gjatë që ka vështirësi por besoj që do ja dalim me sukses.
“Bota sot”: Kosova edhe me tej nuk po arrin assesi një konsensus për dialogun me Serbinë. Sipas jush, si duhet veprohet në këtë çështje?
Qemal Minxhozi: Që të ketë një konsensus me Serbinë, duhet së pari të ketë një konsensus brenda forcave politike në Kosovë, kjo është më e rëndësishmja. Nuk mund të bisedosh me Serbinë për ta arritur një konsensus, pa pasur një konsensus mbarë politik, mbarë shoqëror, se di duhet të zhvillohen marrëdhëniet me Serbinë. Është shumë shumë e rëndësishme që të ketë një dakordësi të të gjithë faktorëve politik, duke u bërë një konsultim sa më i gjerë, gjithëpërfshirës dhe me opsione nga më të ndryshmet, por në radhë të parë ne duhet arritur një konsensus këtu dhe pastaj për të kaluar tek një konsensus më i gjerë me palën serbe. Kjo që kërkohet në Kosovë, kërkohet edhe në Serbi, duhet të dalim jashtë atyre patetizmave, patriotizmave dhe të jemi realistë, komshiun nuk e zgjedh, komshiun e ka caktuar historia dhe problemi që ka Kosova me Serbinë sot dhe anasjelltas, janë probleme që i kanë pasur edhe shtete të tjera të botës dhe janë munduar që këto procese t’i zgjedhin në mënyrë gjithëpërfshirëse. Kjo është thelbi, pastaj mekanizmi si do të bëhet është një çështje më e thjeshtë.
“Bota sot”: Tashmë numrat e infektimeve kanë filluar të rriten në gjithë botën si vala e dytë. Sa mendoni se do të ndikojë kjo për ekonomitë shqiptare?
Qemal Minxhozi: Faza e parë na gjeti pa përgatitur dhe pa një eksperiencë dhe pa një udhëzues. Tek faza e dytë jemi më pranë zgjidhjes së problemit. Cili është, është që të zbatojmë rregullat që japin ekspertët e shëndetësisë, pra kujdesi për vetëm, familjen, shokun, maskat, e me radhë dhe është shumë e rëndësishme që ne e kemi në dorë për të zbatuar disa rregulla, që të mos kemi një fazë të dytë të izolimit.
“Bota sot”: Për fund, cila është mesazhi apo thirrja për shqiptarët e Shqipërisë që të vijnë të pushojnë dimrit në Kosovë?
Qemal Minxhozi: Ejani në Kosovë, se edhe Kosova është po aq e bukur sa edhe Shqipëria.