Ka shkuar në 5 numri i të arrestuarve për ndërtimin e një karburanti në rrugën Plepa-Kavajë. Policia e Durrësit njoftoi këtë të martë arrestimin e Rezart Arkaxhiut, 36 vjeç, banues në Durrës, administratori i karburantit në fjalë, si dhe Astrit Zenelajt, 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, një prej drejtorëve të ARRSH-së që kishte miratuar lejen për ndërtimin e këtij karburanti.
Ngritja e një karburanti në aksin rrugor Plepa-Kavajë dhe miratimi i lejes për hyrje-daljet e mjeteve në rrugë vuri nën hetim 7 zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar në qytetin e Durrësit dhe dy biznesmenë. Policia njoftoi pak ditë më parë se ishin ekzekutuar 2 masa sigurie arrest me burg dhe një arrest në shtëpi, ndërsa 6 persona të tjerë ishin shpallur në kërkim.
Kështu, më herët në pranga përfunduan Kastriot Brahaj dhe Lekë Tushaj, ndërsa Agron Hasa do të hetohet në masën e arrestit shtëpiak. Sipas prokurorisë, zyrtarët e arrestuar akuzohen se kanë dhënë leje në kundërshtim me Kodin Rrugor për këtë karburant që ndodhet në kilometrin e tretë të rrugës Plepa-Kavajë, i cili është bërë ndër vite burim për aksidente rrugore.
Në sajë të hetimeve ka rezultuar se inxhinierët e ARRSH-së, Agron Hasa, Kastriot Braha, Afërdita Basha e Dhurata Lazaj kanë lejuar ndërtimin e karburantit në kundërshtim me ligjin, duke shpërdoruar detyrën.
Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Spartak Tarkaj, Astrit Zenelaj, Lekë Tushaj me cilësinë e drejtorëve të drejtorive të ARRSH-së që kanë miratuar lejen. Në të njëjtën kohë janë nën hetim për ndërtim të paligjshëm edhe dy administratorët e karburantit Rezart Arkaxhiu dhe Xhevat Vataksi.
Me arrestimin e dy personave më lart, tashmë në kërkim mbeten 4 persona të tjerë.
/a.r