Këshilli i Ministrave ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2021 duke përcaktuar 5 prioritete kryesore. Në listën e prioriteteve janë procesi i rindërtimit, pandemia, subvencionimi i naftës së fermerëve si dhe projektet infrastrukturore të mëdha si Tuneli i Llogarasë, Unaza e re e Tiranës apo aksi Kardhiq-Delvinë.
-Procesi i Rindërtimit do të financohet me 28 miliardë lekë lekë në vitin 2021, ndërkohë, që mbi këtë edhe 1.5 miliardë lekë parashikohen të vijojnë financimin e bonusit të qirave për familjet e pastreha si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit 2019;
-Shëndetësia do të vijojë të financohet me prioritet, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përballimit të pandemisë COVID-19, përfshirë edhe blerjen e vaksinës Anti-Covid 19, si dhe do të ketë një rritje prej 40% të pagave për mjekët, infermierët dhe laborantët e sistemit shëndetësor me një kosto totale vjetore prej 4.5 mld lekë ;
-Arsimi do të përfitojë një financim në rritje, ku spikat rritja me 15% e pagës së mësuesve të sistemit arsimor parauniversitar me një kosto prej 3.5 miliardw lekë si dhe financimi i prioriteteve të Paktit për Universitetin;
-Fermerët, krahas skemës së mbështetjes me grante nga buxheti i shtetit dhe nga fondet e IPARD si dhe nga fondi i garancisë të bashkëfinancuar me BERZH, do të mund të përfitojnë nga skema e subvencionimit të naftës, e cila do t’i kushtojë buxhetit të shtetit për vitin 2021 rreth 1 miliardë lekë.
-Infrastruktura, ku do të investohet në projektet e mëdha si Tuneli i Llogarasë, Unaza e re e Tiranës, rruga Kardhiq-Delvinë etj., si edhe zgjerimi i rrjetit të rrugëve kombëtare dhe akseve rrugore me rëndësi për zhvillimin ekonomik të rajoneve.(scan)
/e.rr