Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj ishin sot në Vorë në kantierin e rindërtimit të lagjes së re qendrore, për të inspektuar ecurinë e punimeve atje.
Ministri Ahmetaj lajmëroi se këtë javë rrëzohen të gjitha pallatet që janë vlerësuar për tu rrëzuar DS5, e aty fillon dhe bulevardi i ri i Vorës.
“Këtë javë rrëzohen të gjitha pallatet që janë vlerësuar për t’u rrëzuar DS5 dhe aty fillon dhe bulevardi që vendos dhe profilin e ri të Vorës. Nuk kanë probleme siç kishte Durrësi, janë më të thjeshta për t’u rrëzuar”, deklaroi ministri.
Ndërsa për punimet në Durrës, tjetër qytet i goditur rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, Ahmetaj tha se sot pritet që Fondi Shqiptar i Zhvillimit të nxjerrë fituesit për dy pallatet në Durrës, pra që nga sot kemi zyrtarisht operatorë që do nisin punën për pallatet, themelet e tyre javën që vjen.
“Sot Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të nxjerrë fituesit për dy pallatet në Durrës, pra zyrtarisht që nga sot kemi një bashkim operatorësh që do të dalë nga procesi dhe do të fillojë punë menjëherë për pallatet që javës që vjen në themel”, tha Ahmetaj.
Deri tani, në Vorë është realizuar infrastruktura nëntokësore dhe në kopshtin “Muçaj”, që do të hapë dyert për fëmijët në 26 nëntor.
“Një hapësirë afro 10 hektarë, është parashikuar qendra e Vorës e cila do të rilindë me standarde e me një pamje krejt të re”, shkruan kryeministri në Facebook.
Sipas Ramës, 404 janë familjet që humbën apartamentet dhe shtëpitë natën e 26 nëntorit “e sot vazhdojnë të jetojnë me qera të paguara nga qeveria deri në përfundim të rindërtimit, do të kthehen në një shtëpi më të bukur e më të fortë dhe në një lagje shumë herë më të bukur e më miqësore për të gjitha moshat”.
g.kosovari