Artistët, kryesisht këngëtarët kanë humbur shifra të konsiderueshme për shkak të COVID-19. Për këtë çështje kanë folur së fundmi tri zëra të muzikës shqiptare, Altin Goci, Bojken Lako dhe Renis Gjoka. Në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’, ata kanë kërkuar nga qeveria që të ndërmerret një strategji për artistët dhe se ata duhet të kënë statusin. Për artistët është absurde që në një lokal lejohen 30 vetë, por jo muzika.
RRËFIMET:
Altin Goci: Kjo është një situatë ku po përjetohet në të gjithë botës. S’bëhet fjalë më për grumbullime të kësaj natyre, është fenomen mbarë botëror. Duhet ta vuajmë për fat të keq.
Renis Gjoka: Prisja që të kishte një ‘kthim koke’ nga ana jonë. Ne jetojmë në këtë vend ku ka filluar një farë selektimi, mbajtje me hatër. Po të bësh një xhiro në rrugët e Tiranës sheh lokale në që buçasin nga muzika deri në orët e para të mëngjesit. Këtu pastaj lind pyetja, nëse është situata e vërtetë. Rëndësi ka që ka muzikë.
Bojken Lako: Në Gjermani lejohet një grumbullim deri në 50 veta. Në momentin që janë hapur shkollat, nuk ka pse mos të hapen stadiumet, dhe lokalet. S’duhet të ecet më këtë frymë. Ku arti lihet i fundit.
Renis Gjoka: Absurdi është se lokali lejohet me 30 veta, por nuk lejohen muzikantë.
Bojken Lako: kjo është pandemi mendore. Që ditën e parë të pandemisë dolën tanket. Nëse lokalet nuk hapen pasi valët e përçojnë gripin më shumë, atëherë kjo mund të jetë një logjikë surreale. Por nuk është normale që të mbyllen lokalet. Le të ketë njerëz që kontrollojnë, nëse respektohet apo jo orari dhe më pas të vihet gjoba.
Altin Goci: Që nga fillimi i marsit jemi pa punë. Për hir të vërtetës ne na ka përkëdhelur pak fati që kemi pasur kursimet tona, se jemi paguar. Por këto kursime vjen një moment që po mbarojnë. Situata nuk është e mirë. Duke i parë anën e mirë anës tjetër të medaljes, ka ndikuar në sensin pozitiv, jam marrë me veten time. Në një situatë normale s’do isha ulur për të kompozuar. Kur të rregullohen gjerat do t’i nxjerrë. S’di të them se sa kam humbur, shifra ka qenë e konsiderueshme. Statusi i artistit është shumë i rëndësishëm. Pandemia i nxori defektet.
Renis Gjoka: Unë jam dakord që të bëhemi bashkë, jo që të shkojmë tek Kryeministria e të mblidhemi e të gjuajmë me gura. Them bashkë në ide. Në koncept jemi të bashkuar, se kemi të drejtën tonë për të reaguar ndaj atyre që marrin vendime për ne. I bëj thirrje artistëve, pasi kemi dalë që të kundërshtojmë të drejtën tonë, që të sensibilohen më shumë si kolegë që jemi. Në privat shprehin të njëjtën ide me ne, duhet të jenë të guximshëm për veten e tyre. Ka seleksionime. Pse mos ta them këtë gjë. S’mund të ketë mbyllje me një të rënë të lapsit.
g.kosovari