“Kjo nuk do të jetë pandemia e fundit. Njerëzimi do të goditet përsëri me të njëjtën dhunë dhe, kush e di, mbase edhe më shumë. Prandaj, ne duhet ta ruajmë atë që po mësojmë: SARS -CoV-2 ishte këmbana e alarmit që na duhej për të na bërë vigjilentë përpara atyre që do të vijnë”.
Nuk është një profeci, por një paralajmërim që Bruce Beutler, fitues i Nobelit në Mjekësi në 2011. Imunologu amerikan do të jetë pjesë e Festivalit të Shkencës Mjekësore, në Bolonja, të shtunën, 17 tetor.
Diskutimi i tij do të përqendrohet te funksionin imunitar të lindur, tema e hulumtimit që i dha atij çmimet më prestigjioze. “Imuniteti i lindur” është “këmbësoria” e organizmit: është linja e parë e mbrojtjes, e pranishme që nga lindja dhe nuk ka kujtesë: nuk është, në fakt, selektive ndaj patogjenëve, ndryshe nga “imuniteti” i fituar”, që shkaktohet vetëm pas sulmit të viruseve të reja në trup dhe dikton prodhimin e antitrupave specifikë.
Beutler e thekson me forcë dallimin mes të dyjave, duke shpjeguar avantazhet e të dy funksioneve. “Për të fituar betejën kundër Sars-CoV-19, ne duhet të përqendrohemi në studimin e imunitetit të fituar, i cili është specifik dhe selektiv, në mënyrë që të hartohen vaksina 100% të sigurta”.
Profesor, ju theksoni nevojën për vaksina, por eksperimentimi po provohet më i ngadaltë se sa pritej dhe ndërkohë infeksionet po rriten. Pse të mos investoni më shumë në ilaçe?
Unë nuk do të kisha dyshime, në menaxhimin e një buxheti, për të vënë gjithçka mbi vaksinën. Sars-CoV-2 është një virus i poshtër, por nëse gjejmë vaksinën e saktë, atëherë ne do të frenojmë vdekshmërinë në mënyrë më efektive, për të mos përmendur ngarkesën mbi terapitë intensive, siç ka ndodhur tashmë. Për më tepër, ne do të kemi më shumë njohuri në fushën e vaksinave, nëse përsëri gjendemi në situata të ngjashme.
Pse është SARS-CoV-2 një virus më hileqar se të tjerët?
Duke qenë një virus RNA, ai ka një aktivitet të dobët “korrektor”: çdo herë që replikohet, bën gabime dhe nuk është në gjendje t’i rregullojë ato në mënyrë efektive si qelizat e ADN-së. Këto gabime janë mutacione dhe janë një avantazh për virusin, sepse, nëse nuk janë vdekjeprurëse dhe mbajnë, e bëjnë vetë virusin vazhdimisht të ndryshëm dhe, për pasojë, të pakapshëm për vaksinën.
Atëherë, pse të investojmë kaq shumë mbi vaksinën, kur është kaq e vështirë për t’u bërë?
Është e domosdoshme, sepse pandemitë e tjera si kjo aktuale – me kapërcimin e virusit nga kafsha te njeriu – do të përsëriten vazhdimisht dhe nuk mund të mbështetemi te terapitë: është e nevojshme të ndalet epidemia që në lindje. Karakteristikat e veçanta të SARS-CoV-2 na kanë vënë para një dileme epokale: si do të kishte qenë bota nëse ky virus do të kishte qenë shumë më vdekjeprurës, me një shkallë vdekshmërie prej 50% në të gjitha grupmoshat? Ne do të duhet të mësojmë gjithçka që mundemi nga kjo pandemi dhe si do ta kapërcejmë atë.
Ju jeni vlerësuar me Çmimin Nobel në Mjekësi për studime mbi imunitetin e lindur. Si mund të na ndihmojë kjo njohuri?
Imuniteti i lindur është një mbrojtje jospecifike dhe me afat të pakufizuar kundër patogjenëve. Paradoksalisht, kundër SARS-CoV-2 këto mbrojtje, megjithëse më pak të evoluara, mund të jenë të dobishme nëse përmirësohen, sepse ato janë menjëherë të gatshme dhe të shpejta. Sistemi imunitar i lindur, në fakt, nuk ka kujtesë të patogjenëve dhe në momentin e një kontakti të ri me të njëjtin virus, ne sëmuremi sërish. Vaksinat, nga ana tjetër, nuk punojnë me imunitetin e lindur, por me imunitetin e fituar, i përfaqësuar nga limfocitet T dhe B., të cilat stimulojnë prodhimin e antitrupave. Është një sistem shumë më i ngadaltë, nëse mendojmë për karakteristikat e imunitetit të lindur: duhet një javë ose 10 ditë për të prodhuar antitrupa, por në atë pikë ne kemi një armë specifike që mban mend virusin, në rast se biem sërish në kontakt me të.
Në çfarë pike jemi me vaksinat?
Aktualisht, imuniteti i fituar i antitrupave të prodhuar nga vaksinat që janë në eksperimentim e sipër është ende shumë i shkurtër dhe nuk ecën në një hap me mutacionet e virusit. Është një realitet që, ndër të tjera, e bën imunitetin e tufës një ëndërr të parealizueshme. Ne do të arrijmë gjithsesi te vaksina, do të duhet ta bëjmë sepse pandemi të tilla të dhunshme do të jenë gjithnjë e më të shpeshta.
Duke qëndruar te kthimi i pandemive, a mendoni se globalizimi do të favorizojë përhapjen e tyre?
Viruset përhapen më shpejt për shkak të komunikimit. Sidoqoftë, edhe nëse udhëtimet do të ishin shumë më të kufizuara, SARS-CoV-2 mund të kishte bërë të njëjtën gjë në të gjithë botën: kjo ndodhi me pandeminë e gripit të vitit 1918.
Në funksion të pandemive të ardhshme, a do të ketë bllokime të tjera në nivele kombëtare?
Nevoja për të izoluar vektorët mund të bjerë ndesh me vlerat dhe ligjet e një shoqërie dhe, për më tepër, nuk është gjithmonë e mundur të ndalosh sulmin e viruseve me transmetim oral dhe përmes kontaktit si kjo. Duhet thënë që një periudhë asimptomatike relativisht e gjatë, gjatë së cilës transmetimi është i mundur, si në rastin e SARS-CoV-2, dhe mungesa e një testi të shpejtë, bën që njerëzit të infektohen kudo para se të tregojnë shenja. Përgjigjja e vetme është kërkimi shkencor për vaksina që ofrojnë imunitet efektiv dhe që zgjat në kohë: për sot dhe për nesër./ La Repubblica
g.kosovari