Rruga e gazsjellësit Transatlantik në Itali është optimale dhe nuk do të ndryshojë. Projekti po vijon me procedurat e parashikuara dhe me përgatitjet e hershme të punës, sipas përfaqësuesve të TAP në Itali.
Sistemi i propozuar i rrugës së gazsjellësit në Itali konsiston në ndërtimin e një seksioni prej 45 km, e me një gjatësi 5 km nën det.
Në një deklaratë për mediat, kreu i rajonit të Puglia-s, Michele Emiliano në një takim me përfaqësuesit e konsorciumit TAP, kërkoi që të gjenden alternativa për fushën e ndërtimit të TAP në Itali, pasi çështja mjedisore është shqetësuese.
TAP është përballur vazhdimisht me kundërshtitë e kësaj krahine në vendin tonë fqinj, arsye e cila lind nga shqetësimet e banorëve për dëmtimet që do i sjellë ndërtimi i këtij gazsjellësit mjedisit të tyre. Shqetësimet lidhen edhe me çështje kulturore dhe socio-ekonomike.
“Mjedisi i zgjedhur nga TAP në San Foca është pozicioni më optimal për ndërtimin e këtij gazsjellësi”- ka deklaruar kreu i Komunikimit në TAP, Lisa Givert, duke shtuar se janë kryer studime në 11 zona të tjera dhe San Foca u përzgjodh si vendi optimal. “Janë dhënë vlerësimet nga Komisioni EIA”- thotë ajo, gjithashtu autorizimi mësohet se është siguruar që në maj të 2015, ndonëse kundërshtitë vijojnë në këtë zonë.
Givert deklaron në fund se pavarësisht kësaj, projekti do të vijojë sipas parashikimeve paraprake, e shitjet e para të gazit do të realizohen në 2020.
TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë. Gazsjellësi me gjatësi prej rreth 878 km do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit turko-grek, në Kipoi, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik dhe do të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut.
Gjurma e TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, si dhe vendet e tjera. Vend-dalja e TAP në Itali ofron mundësi të shumta për transportin e mëtejshëm të gazit kaspik drejt disa prej tregjeve më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria.
MONITOR