Bashkimi Evropian ka rënë dakord që të vendosë sanksione ndaj gjashtë rusëve dhe një organizate lidhur me helmimin e udhëheqësit rus të opozitës Aleksej Navalni.
Mediat e huaja bëjnë me dije se ambasadorët e BE ranë dakord të vendosin ngrirjen e aseteve dhe ndalimet e udhëtimit për këta persona gjatë një takimi në Bruksel. Hollësitë do të vendosen në ditët në vijim.
Navalnin, një kritik i hapur i Presidentit Rus Vladimir Putin, e helmuan në gusht në Siberi me lëndën kimike luftarake Noviçok. Atë e evakuuan në Berlin, ku tani po shërohet.
Nga ana tjetër administrata e Putinit ka mohuar se qëndron pas sulmit, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov më parë kishte kërcënuar se të ndërpriste kontaktet diplomatike me vendet perëndimore, po të vendosnin sanksione.
“Ne ndoshta thjesht duhet të ndalojmë përkohësisht së foluri me ata njerëz në Perëndim që janë përgjegjës për politikën e jashtme dhe nuk e kuptojnë nevojën për dialog me respekt reciprok,” ka thënë Lavrov.
Ndërkohë të mërkurën, ai kërcënoi të përgjigjej në të njëjtën mënyrë ndaj çdo sanksioni.
g.kosovari