Vendosjen e maskës me detyrim, kryedemokrati Lulzim Basha e ka quajtur si një vendim “për të larë duart” nga ana e qeverisë. Ai tha se Rama nuk ka mbajtur premtimin për një paketë të tretë ekonomike, duke e quajtur si kriminelë që pret të arrihet më e keqja.
Basha tha se vendi është në qorrsokak dhe drejt greminës duke i kërkuar mediave të nxjerrin me zë e figurë premtimin e kryeministrit Edi Rama për paketën e tretë të ndihmës për shkak të pandemisë por që nuk u dha kurrë.
“Vendi në qorrsokak drejt greminës. E vetmja mënyrë për ta frenuar të marrim ato masa që po marrin me efektivitet vendet në rajon. Masa e vetme e bërjes apo jo të detyrës është a i ke marrë këto masa dhe çfarë efekti kanë dhënë. Situata nuk do ishte kështu nëse do ishin bërë ato që kemi thënë ne. Prej marsit i kërkoj 2500 testime në ditë. Plotësisht e mundur për të përballuar me vërtetësi përmasat e vërteta të pandemisë. Kjo sjell obligimin tjetër, gjurmimin e rasteve. Kjo është detyra e qeverisë jo të dalin si sharlatanë, vëre maskën këtu mos e vër aty. Kjo është të lash duart. Dje kemi arritur një rekord infektimesh. Sa i përket paketës ekonomike janë premtuar prej muajit maj dhe qershor masa shtesë, paketa e tretë. E keni me zë e figurë, nxirrjani palaços siç ia nxjerrim ne. Është detyrë e medias. Është dhe për disa koha ka çelësat. Përballeni me shqiptarët kur thotë kemi bërë gati paketën e tretë, ndërkohë që vendet e tjera kanë bërë paketën e katërt. Është kriminale mënyra se si sillet me shqiptarët, me mjekët e infermierët. Një kriminel pret të vijë më e keqja për të nxjerrë me pikatore. Ky është plani ta lë të keqen deri në fund pastaj të nxjerr pikatoren. Kjo nuk është papërgjegjshmëri, nuk është keqqeverisje, është krim”, deklaroi Basha.
Lulzim Basha gjithashtu ka denoncuar planin sipas tij të Ramës për të vendosur Milva Konomin në krye të Bashkisë së Durrësit, për një aferë korruptive miliona eurosh.
“Rama e ka mendjen të bëjë afera. Për incineratorët po bëhet gati që ta shkarkojë për herë të pestë apo të 6 kryetaren e Bashkisë së Durrësit, se nuk pranon zonja që nuk ia dimë emrin se i ndërrojnë më shpesh se shefja e kadastrës së Vlorës. Nuk pranon që të firmosë një aferë qindra milionëshe për të çuar lekë tek incineratori i Tiranës dhe po bëjnë gati Milva Ikonomin që të japë dorëheqjen si deputete dhe të komandohet atje që të firmosë shkresën dhe të vjedhin paratë prapë me incineratorët. Këtu e ka mendjen ai, nuk e ka mendjen diku tjetër. Ky është plani. A do ta ndryshojë pas denoncimit që i bëra unë, mbetet për t’u parë. Plani është që Milva Ikonomi të dorëhiqet, të komandohet nënkryetare, të ikë kjo nënkryetarja e 3 a e 4 dhe të firmosë shkresën për të çuar të paktën 100 milionë incineratorëve. Gjithçka e Edi Ramës është e lidhur me paratë, për t’ia marrë qytetarëve dhe për t’ia çuar oligarkëve, në veçanti afera e tmerrshme e incineratorëve të plehrave”, shtoi Basha duke aluduar për një lëvizje të deputetes Milva Ikonomi.
/e.rr