Kombëtarja shqiptare do të luajë këtë të mërkurë në orën 18:00 në Lituani ndeshjen e katërt në grupin e Ligës së Kombeve. Duket një sfidë revanshi, pas humbjes surprizë në “Air Albania”, por është diçka më shumë, sepse fitorja në këtë ndeshje vlen kreun e grupit, që është objektivi i kuqezinjve. Veç Amir Abrashit i dëmtuar, pjesa tjetër e grupit që ishte në Kazakistan duket në formë të mirë.
Në grup janë lojtarë të rinj, por tashmë ata i kaluan emocionet e debutimit apo të titullarit në fushë për 90 minuta, kështu që pritet një tjetër ndeshje ndaj Lituanisë. Trajneri Reja pritet që të bëjë disa ndryshime edhe në këtë ndeshje, pasi të shohë në stërvitjen zyrtare gjendjen e futbollistëve.
Qazim Laci mendohet në vend të Abrashit ose Çekiçit. Skema 3-5-2 nuk do të ndryshojë. Në portë pritet sërish kapiteni Berisha. Në mbrojtje, trajneri pritet t’i japë minuta Mihajt në vend të Dermakut. Treshja plotësohet me Gjimshitin dhe Kumbullën.
Nga krahët, mund të ketë debutim të Albi Dokës në të djathtë dhe Lenjani në krahun tjetër të rikthehet titullar në Kombëtare. Në mesfushë, Bare pritet të konfirmohet dhe përkrah tij Kallaku dhe një mes Laçit ose Çekiçit në rast se Abrashi nuk ia del. Për sulmin, gjithashtu priten ndryshime. Vrioni mund të zërë vendin e Manajt dhe përkrah tij të aktivizohet një mes Brojës dhe Seferit, me të parin që është favorit.
/a.r