Policia vijon kërkimet për 25-vjeçarin Danjel Pepaj, i cili akuzohet se vrau Vilson Çutajn dhe Klement Pepajn.
Të dhënat nga celulari i tij, por edhe nga dëshmi të banorëve, tregojnë se Danjel Pepaj ndodhet në Mal të Zi, pikërisht në Podgoricë. Policia shqiptare u ka kërkuar ndihmë homologëve të Malit të Zi, ndërsa edhe familjarët e 25-vjeçarit kanë nisur negociatat me të për t’u vetëdorëzuar.
Sipas banorëve të fshatit Vrith në Malësi të Madhe, vëllai që ka jashtë shtetit, i ka kërkuar Danjelit që të kthehet në vend dhe të sqarojë çfarë ndodhi.
Ndërkohë vëllai i Vilson Cutajt, njërit prej viktimave, ka konfirmuar në dëshminë e dytë se sherri mes të rinjve ishte për hashashin.
Danjeli ishte dhunuar nga Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj dhe më pas pranoi që t’ju jepte kanabisin të cilin e mbante në mal, por aty i ka vrarë me një kallashnikov.
Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj u zhdukën mbrëmjen e 3 Tetorit dhe pas 5 ditësh kërkim, trupat e tyre u gjendën pranë një parcele me kanabis mbi fshatin Vrith. Provat nga celulari, dëshmitë e banorëve konfirmuan për policinë se vrasësi është Danjel Pepaj.
Ngjarja ka shtuar frikën e gjakmarrjes në zonë, prandaj policia ka marrë në mbrojtje përkohësisht dy familjet.
/a.r