Nuk u mbajt protesta e 10 tetorit para kryeministrisë, sikurse ishte paralajmëruar nga Liga Profesioniste e Futbollit.
Edhe pse u tha se nuk dha leje policia, kjo tërheqje u pa si njëlloj armëpushimi mes klubeve të Superiores dhe qeverisë shqiptare.
Pritej që këtë fundjavë të startonte kampionati kombëtar, por nuk do të ndodhë kështu. Mbledhja e sotme e presidentëve të dhjetë klubeve ka dalë me vendimin për ta vazhduar bojkotin.
“Pas diskutimeve u vendos që të vazhdojnë, deri në momentin e zgjidhjes së kërkesave. Jemi në pritje të një takimi me qeverinë. Vendimi për të vazhduar bojkotin ishte unanim,”-u shpreh Libohova.
Shumica ka kërkuar të vazhdohet në këtë rrugë, derisa të plotësohen katër kërkesat nga ekzekutivi shqiptar.
Ka pasur edhe ndonjë president, që ka kërkuar të fillojë kampionati, por votat e shumicës kanë predominuar vendimin final.
Kujtojmë se 10 presidentët e Superiores, pjesë e Ligës, me mbështetjen e FSHF-së, i kanë drejtuar qeverisë shqiptare të falë gjobat, të rishikojë tatim-taksat dhe Ligjin e Sponsorizimeve.
Kampionati shqiptar i futbollit duhet të niste që me datë 12 shtator, ndërsa katër kërkesat financiare të Ligës janë artikuluar që me 5 gusht.
g.kosovari