Vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe homologëve për kapjen, arrestimin dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Madrid, falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit, u bë i mundur arrestimi në Spanjë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Gentjan Marku, 29 vjeç, banues në Reps.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në vitin 2018, ka vendosur, masën e sigurimit “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Trafikimi i lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Shtetasi Gentjan Marku, në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.
/a.r