Milani ka mësuar paraditen e sotme se mbrojtësi i ri i talentuar Matteo Gabbia ka rezultuar pozitiv me koronavirus dhe është thuajse e sigurt mungesa e tij në derbin ndaj Interit, megjithatë Pioli mund të fërkojë duart, pasi ka rikuperuar liderin e ekipit, Zlatan Ibrahimovic.
Ky i fundit ka njoftuar pasditen e sotme se ia ka dalë të mposhtë koronavirusin, pasi ka rezultuar negativ në testin e fundit që ka zhvilluar dhe që nga dita e nesërme pritet të stërvitet në fushë nën urdhrat e Stefano Piolit.
Ka qenë vetë sulmuesi 39-vjeçar që ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale personale se është i shëruar dhe se tani i ka përfunduar edhe koha e karantinës, ndaj është i lirë të dalë jashtë.
Kështu suedezi do të ketë një javë të plotë në dispozicion për t’u stërvitur në fushë bashkë me shokët e skuadrës dhe për të gjetur formën më të mirë për derbin e 17 tetorit ndaj Interit.
E nëse Pioli merr lajme të mira, pasi ka rikuperuar si Ibrën ashtu edhe kapitenin Romagnoli, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Antonio Conten, i cili aktualisht numëron plot 5 të infektuar brenda skuadrës së tij.
Alessandro Bastoni, Milan Skriniar, Radja Nainggolan, Roberto Gagliardini e Ionut Radu janë të prekurit nga koronavirusi te zikaltrit dhe të pestë këta, bashkë me Sensin e pezulluar, nuk do të jenë në dispozicion për derbin ndaj Milanit.
g.kosovari