Pas rreth 7 orësh në ajër, Kombëtarja Shqiptare ka mbërritur pasditen e sotme në kryeqytetin e Kazakistanit Almaty, ku ditën e diel në orën 15:00 do të përballet me përfaqësuesen vendase në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Me të mbërritur në Almaty, kuqezinjtë u akomoduan në hotel, ndërsa më pas kryen edhe një seancë stërvitore shtrydhëse, pas një udhëtimi vërtetë të lodhshëm e rraskapitës.
Nesër kuqezinjtë do të kryejnë një tjetër seancë stërvitore në stadiumin ku do të luhet ndeshja, ndërsa më pas pritet që trajneri Edi Reja dhe kapiteni Etrit Berisha të dalin në konferencën e zakonshme për shtyp.
Kuqezinjtë u grumbulluan në Durrës që të hënën dhe pas 4 ditësh stërvitje intensive, u nisën mëngjesin e sotëm drejt Kazakistanit, me qëllim që të kenë rreth 48 orë kohë për të rikuperuar nga udhëtimi i mundimshëm.
Sfida mes Kazakistanit dhe Shqipërisë do të luhet të dielën në orën 15:00 me orën lokale shqiptare, ndërsa më pas kuqezinjtë i pret një tjetër udhëtim i gjatë drejt Lituanisë, me të cilën do të përballen të mërkurën.
/e.rr