Joleza Koka ka paditur Mirela Karabinën në Gjykatën e Tiranës me objekt shpifjen. Kjo kërkesë e ish kryetares së FRESSH vjen pasi Karabina e ka akuzar si e punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe marrjen e rrogave në borde.
“Zonja Karabina në një demonstratë të organizuar nga opozita ka thërritur turmën që të pështy, të shaj e të mallkoj anëtarë të këshillit bashkiak si votues për prishjen e teatrit kundrejt shpërblimit si anëtarë bordesh, rroga në institucione shtetërore e pozicione të tjera. Gjë që nuk është e vërtetë!
Zonja Karabina duhet të kërkoj falje publikisht dhe të përgënjeshtroj ato, që ka thënë përpara po të njëjtëve njerëz e me po të njëjtën bujë, pasi unë as punoj e as kam punuar ndonjë herë në Ministrinë e Shëndetësisë e as jam paguar ndonjë herë nga asnjë bord.”, shprehet në një reagim të saj Joleza Koka.
Reagimi i plotë nga Joleza Koka:
Kam përjetuar ditën më të vështirë dhe të shëmtuar të angazhimit tim politik. Kam dorëzuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë një Kërkesë-Padi për shpifje drejtuar zonjës Mirela Karabina.
Kam hyrë në Partinë Socialiste kur luftonin për të drejtën e votës. Mungesa e të drejtës, që vota jote të numërohet, vjedhja e saj, transformimi i vullnetit të shumicës për një interes të pakicës më dukej çmenduri. Sot akoma besoj, që demokracia është i vetmi sistem, që e çon njerëzimin përpara.
Megjithatë asnjë herë nuk e kam besuar, që dikush duhet të jetë tërësisht i/e zhytur në politikë, që të quhet i/e suksesshëm apo i/e plotësuar. Prandaj edhe kur ka qenë gara për kryetar të FRESSH në çdo takim e kam nisur fjalën time duke thënë se jam arkitekte. E sot e kësaj dite profesioni im është arkitektura, kjo është puna, që dua dhe di të bëj. Angazhimi në shoqëri, vullnetarizmi që kam bër në parti apo lufta për kauzat, që unë mendoj se janë të drejta është një gjë që na shoqëron gjithë jetën, është detyrë qytetare dhe suksesi në këto struktura nuk është qëllim në vetvete.
Për këtë arsye deri më sot nuk kam kthyer përgjigje asnjë akuze, sharje apo baltosjeje, as kur më shpallën të droguar, sepse thashë mendimin tim në një takim partie, as kur thanë që u martova në Las Vegas ndërkohë, që në të vërtetë unë isha aty si përfaqësuese e Ballkanit e përzgjedhur nga Partia Socialiste Europiane në fushatën për të zgjedhur gruan e parë presidente në historinë e Amerikës, aq më pak kur më nxorën me barrë e vazhdojnë më pyesin akoma si i kam kalamajtë.
Është e paimagjinueshme për shqiptarët ose më saktë nuk iu intereson t’ia njohin meritat një vajze për aftësitë organizative por e kanë në majë të gjuhës titullin a gjen a sgjen dot burrë. Është e patolerueshme në vitin 2020, me këto mjete komunikimi, që kemi në dispozicion të vazhdohet të shpifet, të shahet dhe të shkatërrohen jetët e të tjerëve për të fituar kapital politik për veten. Kështu ishte dhe rasti i zonjës Karabina, për të cilën do mjaftonte një kërkim i thjeshtë në google, apo një telefonatë/kërkesë për informacion tek burimet njerezore për të marrë informacionin e saktë, por ajo me vetëdije bëri aktin e shpifjes. Për këtë arsye unë kam vendosur, që nuk dua ta toleroj më këtë lloj sjelljeje ndaj meje. Nuk mund të lejoj më, që të nxitet urrejtje mbi baza të gënjeshtërta.
Zonja Karabina në një demonstratë të organizuar nga opozita ka thërritur turmën që të pështy, të shaj e të mallkoj anëtarë të këshillit bashkiak si votues për prishjen e teatrit kundrejt shpërblimit si anëtarë bordesh, rroga në institucione shtetërore e pozicione të tjera. Gjë që nuk është e vërtetë!
Zonja Karabina duhet të kërkoj falje publikisht dhe të përgënjeshtroj ato, që ka thënë përpara po të njëjtëve njerëz e me po të njëjtën bujë, pasi unë as punoj e as kam punuar ndonjë herë në Ministrinë e Shëndetësisë e as jam paguar ndonjë herë nga asnjë bord.
Unë besoj tek demokracia dhe tek e drejta e votës dhe njësoj si ditën e parë kam përçmim maksimal për kë tenton ta blej, ta shesi, apo ta tjetërsojë votën dhe me sa mundësi do kem do e luftojë këtë mënyrë të të bërit politikë.
Për mua angazhimi politik është një gjë e bukur dhe duhet të jetë një platformë, që na sjell më afër dhe kur kemi ide të ndryshme, prandaj nuk kam asnjë ndjenjë triumfi për një zonjë, që detyrohet të mashtroj publikisht për të marrë duartrokitjet e shefit, për mua kjo e sotmja është një ditë e trishtë, nuk e bëj me qef, e bëj si një detyrë qytetare sepse e vërteta nuk është pronë as e atij që bërtet më shumë, as e shumicës, e vërteta është kokëfortë dhe është e vetmja gjë që të çliron! Me këtë akt dua, që ta çlirojë jo vetëm zonjën Karabina por të gjithë ata, që dikush apo disa i deryrojnë, që të gënjejnë për të mbijetuar në këtë “gjë” që ne sot e quajmë politikë.