Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Street” (Rruga) ka vënë në pranga një person i cili dyshohet se shpërndante drogë.
Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një 32-vjeçar merrej me shitjen e lëndëve narkotike dhe lëvizte me mjet nga zona e “Parkut” në drejtim të rrugës “Muhamet Gjollesha”, uniformat blu organizuan operacionin antidrogë.
Gjatë tij, mbrëmjen e djeshme, e enjte, u bë arrestimi i A. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, poseduesi i lëndës narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin po qarkullonte 32-vjeçari, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, shërbimet e policisë kanë gjetur rreth 4 kilogramë lëndë të dyshuar kanabis sativa, e ndarë në doza, një shumë të konsiderueshme parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike dhe një aparat celular, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
/a.r