Rrok Pepaj, i ati i Danjel Pepajt, është ndaluar nga Policia e Shkodrës dhe po mbahet prej disa orësh në komisariat. Nga burime policore, tvklan.al ka mësuar se Rrok Pepaj është ndaluar në cilësinë e dëshmitarit të ngjarjes.
Gjatë ditës së sotme, Rrok Pepaj ka shoqëruar forcat policore në vendin ku u gjetën trupat e pajetë të dy kushërinjve të vrarë Klement Papaj dhe Vilson Çutaj. Ata dyshohet se janë vrarë nga Danjel Pepaj, kushëriri i tyre, i cili është shpallur në kërkim.
Viktimat u gjetën pranë një parcele me kanabis sativa në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe. Gazetarja e Tv Klan, Emi Kalaja, raporton se parcela e kultivuar me kanabis u gjet e djegur pjesërisht. Policia dyshon se Danjel Pepaj mund ta ketë djegur parcelën pasi ka vrarë me armë Klement Pepajn dhe Vilson Çutajn.
Mes tre kushërinjve ka patur një konflikt për vjedhjen e 50 kg kanabis. Kanë qenë dy viktimat që akuzonin kushëririn e tyre Danjelin se ju kishte vjedhur mallin. Kur Danjel Pepaj ra dakord për t’i çuar në vendin ku mendohej se kishte fshehur drogën e vjedhur, aty ekzekutoi me armë dy kushërinjtë e tij. Besohet se ai ështëa arratisur drejt Malit të Zi.
/a.r