Nga Ben Andoni/
Shtyrja e Ligjit të Dekriminalizimit në sesionin e të enjtes së parlamentit shqiptar na tregoi edhe njëherë sesa ‘të papërgatitur’ i kemi ligjvënësit të vendosin për drafte, për të cilat shoqëria jonë duhej t’i kishte superuar prej kohësh. Kemi parë në vitet e fundit lloj-lloj demagogësh parlamentarë e pushtetarë të na flasin për parimet e demokracisë, luftën ndaj kriminelëve dhe fundin e komunistëve. Anipse jemi në vitin 2015, jo vetëm s’është bërë asgjë, por shumë prej atyre që i shërbyen sistemit komunist janë mrekullisht shëndoshë dhe të ricikluar në mënyrën më të mirë të mundshme. Si për ironi urrejtjen komuniste e kanë ushqyer më së shumti njerëzit si ish-kryeministri Berisha që kanë pasur benefice pafund ndaj saj. Në stadin ku kemi arritur është e kuptueshme që ne vuajmë sinqerisht për një bazë të themi morale “shpirtërore”. E pëshpëritin të gjithë, kurse duket hapur se kjo është ajo që po ua gërryen ndërgjegjen deputetëve, politikanëve të ndryshëm dhe gamën e madhe të përfituesve, që duan t’i justifikohen së pari vetes. E ndodh, që ligjvënësit po punojnë me ligjet (mos të harrojmë edhe presionin ndërkombëtar) që të duken se në periudhën e tyre po bëhet diçka, kurse politikanët e terrenit me kinse fjalët dhe fabrikimin e gjërave që nuk ekzistojnë.
Mungesa e thellë e moralit politik dhe parlamentar ka bërë të ringrihen figura të turpshme, përpos lançimit të figurave të së shkuarës, që për hir të së vërtetës, duhet të rishikohen thellësisht, apo disa të tjerë që duhet të frenohen me këtë marri kolektive që po bëjmë. E megjithatë sado që flitet, kemi akoma në parlament ish-komunistë që ta bëjnë të neveritshëm Kuvendin dhe mbi të gjitha psikologji kolektive, që i është bërë trase mendimit dhe vendimit për të sjellë në Kuvend dhe në pushtetin lokal lloj-lloj kriminelësh, që tashmë të dy palët ia ngecin njëra-tjetrës si patatet e nxehur. Por ndërsa për dekriminalizimin, politikanët e kanë një “justifikim” (Si mund të vinë në pushtet pa ta); përgjigje s’ka për ata mijëra të zhdukur, për dosjet e pahapura të spiunëve etj.
Edhe njëherë tjetër, shoqëria shqiptare po bën gabimin që bën paraardhësit me shikimin e pamjaftueshëm që i kushtuan trashëgimisë së shekujve të perandorisë osmane, që sollën vazhdimisht probleme në qeveritë e viteve ’20 dhe ’30. Shtuar me atë që bën komunistët pastaj, duke hedhur poshtë gjithçka pozitive të arritur deri më atëherë.
Kështu në nënvetëdijen tonë veç osmanizmit janë kalcifikuar shtresat e komunizmit që po na sjellin pasojat në të gjitha sferat shoqërore. Në mënyrën e të shkruarit të historisë, në mënyrën sesi nuk dimë të vendosim gishtin në plagë dhe në mënyrën sesi do projektojmë të ardhmen tonë. Një mësim që filozofia e thotë se do jemi të varur t’i përsërisim. Kështuqë dekriminalizimi, dukej aq shumë qesharak të enjten tek të dy palët që akuzonin njëra-tjetrën për faje që i kanë bërë dhe do vazhdojnë t’i bëjnë po vetë. Ndaj s’është keq ta etiketojmë atë kohë me emrin e vërtetë, të lirojmë fillimisht nënvetëdijen tonë dhe pastaj të merremi edhe me dekriminalizimin, që për hir të së vërtetës është sot në vetëdijen e njerëzve që e prodhojnë këtë gjendje.