Nga Ben Andoni
Ka një perceptim të ngushtë ose të themi shumë të cekët për konceptin e kënaqësisë në vendin tonë. Por akoma më të vogël e kemi në rastin kur merret në shqyrtim përballja e shqiptarit me të konsideruarin qejf dhe rehat. Folklori dhe historia janë të mbushura me material për të provuar këtë qasje kombëtare por edhe mënyrën e ngritjes së jetës së homo albanicus mbi parimin e bjerraditës. Në kohën tonë, studimin e kësaj marrëdhënie të prekshme dhe në vende po kaq të pazhvilluara si Shqipëria, e kanë marrë në dorë disiplina shkencore, që e përcaktojnë, por edhe e përcjellin kah masës së arsyetimit logjik.
Pak a shumë, ai bën pjesë në atë që njihet si Hedonizmi Shoqëror. Ky koncept lidhet me sasinë e lumturisë për një komunitet të caktuar të njerëzve (përfshirë vetveten), por edhe dukurinë nëse i shkakton pakënaqësi vetes, referuar literaturës.
Për hir të së vërtetës, sjellja e konsumatorit shqiptar dhe mënyra sesi ai e ngre jetën në funksion të kënaqësisë moderne duket ende si e panjohur. Edhe pse jo dhe aq. Kur jemi pak muaj para zgjedhjeve të 25 Prillit, perceptimi i një pjese të publikut nuk është sesa do të kontribuojnë këto zgjedhje për avancimin e demokracisë dhe përmirësimin e ekonomisë por përfitimet, që do të ketë një grup kundrejt një tjetri. Demokracia, në masën më të madhe tek ne, nuk quhet përpjekje për të pasuruar dhe përmirësuar kanonet e saj, por mirëfilli përfitim hedonistik. E dëgjon rëndom në kafe, por edhe rrugëve, e nëpër zyra nga militantët që mezi e presin kthesën me këtë arsyetim.
Por le ta thjeshtojmë: referuar një Ankete Strukturore të INSTAT-2016, numri i bar-kafeve e restoranteve në Shqipëri kapte shifrën e plot 18.795 syresh (mes tyre 14 200 bare dhe 3965 bar-restorante), e përkthyer në strukturën aktuale të popullsisë të vetëm 2.8 milionë banorëve, 654 bar-kafe për 100 mijë banorë ose më thjesht: 1 kafe për 152 banorë!! Asokohe, Shqipëria e linte pas edhe Spanjën me 47 milionë banorë, rekordmene e BE-së në këtë zë, e cila llogariste 592 bar-kafe për 100 mijë banorë, ose një bar-kafe për çdo 169 banorë, sipas një studimi të BE-së. Që do të thotë struktura ekonomike është e drejtuar mirëfilli drejt këtij biznesi jo prodhues e krejtësisht hedonistik, që ndryshon kryekëput me ekonominë e dikurshme shqiptare, ku shteti shërbente jo thjesht si rregullator por edhe për centralizimin total të ekonomisë së prodhimit. Çdo të thotë kjo? Qytetari konsumator shqiptar dhe identifikimi real i tij me marketingun por edhe përshtatjen e sjelljes së tij me fushat moderne sociale dhe impaktin demokratik, ka një specifikë hedonistike të përcaktuar: rehati dhe qejf nëpër kafe apo trendi drejt disa mallrave të përcaktuara, që lidhen me bjerraditën. Këtij arsyetimi i mungon elementi etik, pasi mungojnë studimet e specifikuara: Heqja dorë nga disa produkte ose sjellje! Për shembull bojkoti për hir të kënaqësisë, si arsyetim i një qëllimi. Përvoja e Kosovës na mësoi me bojkotin për ca kohë të mallrave serbe. Por, a mundet që i ashtuquajturi hedonizëm shoqëror të ndikojë në demokraci?!
Hedonizmi për ta shpjeguar lidhet me një rrymë filozofike, e cila u zhvillua nga filozofët grekë Aristiposi, që e vinte theksin te kënaqësia fizike; Epikuri te ajo shpirtërore dhe sot përcillet te rryma klasike e cila nuk mund të konsiderohet thjeshtaz e vetëm një doktrinë subjektive. Ajo e vendos theksin te fakti se disa lloj kënaqësish vërtetë që mund t’i hasësh normal në botën materiale por edhe në cilësitë njerëzore, që janë atribute të pak personazheve të spikatura. Jo më kot arti kapet fort për t’i mishëruar dhe për t’i shfrytëzuar për kanonet estetike.
Ka pasur një disnivel sa i përket perceptimit, që Bërzhinski në librin e tij “Jashtë Kontrollit” e lidh me periudhën e post-komunizmit, ku Perëndimi u gjet befas përballë një realiteti të ri, hedonist imitues nga vendet e varfra, në kurriz të demokracisë. “Me fundin e universalizmit perëndimor ekziston edhe një rrezik tjetër: kombinimi i Liberalizmit Politik me Hedonizmin Shoqëror, që sa vjen e theksohet në Perëndim, e kjo ka më shumë gjasa të ngjallë një smirë të mirëfilltë në vendet e tjera, sesa një angazhim demokratik pozitiv”.
Megjithëse, Brzhinski i referohej viteve ’90, duket se po t’i referohesh botës para pandemisë, në Shqipëri, por qoftë edhe në Vende të tjera në Zhvillim, shihet qartë se sfida më e madhe është tek problemet materiale sesa niveli demokratik, që përcillet nga mënyra e re e jetesës.
“Pakësimi i përmbajtjeve shpirtërore të thella do të thotë se mesazhi i tyre kryesor për më të varfrit dhe për masat në shkallë botërore, të cilat politikisht janë zgjuar tani së fundi, është të nxitë dëshirën e tyre për garë materiale e cila, gjithsesi duke qenë problem praktik për shumicën e nevojtarëve të botës është thjesht e paarritshme edhe në politikat socio-ekonomike më të arsyeshme. Kësisoj mesazhi i garës materiale bëhet pa dashur katalizator për smirën e të zhgënjyerit, smirë e pakonstruktuar, e cila, nga ana e saj mund të manipulohet lehtë nga demagogët ekstremistë”, shkruan po aty Brzhinski, duke nxjerrë një shqetësim që e hasim ballë syve me pakënaqësitë e konsumatorëve, shtuar me realitete të tjera.
Por, Shqipëria dhe Kosova jetojnë mes paradokseve. Dhe, ky si fakt, referohet në Shqipëri përmes problematikave të tilla (më së shumti për kohën para-pandemi), si niveli i lartë i kredive konsumatore me interes të lartë e pa kolateral, destinuar kryesisht për blerje mallrash konsumi si celularë, elektro-shtëpiake, mobilje etj.!!! Banka e Shqipërisë raporton nivelin e lartë të kredisë konsumatorë, ashtu si Kosova llogarit se niveli i kredive të marra nga ekonomitë familjare si kredi personale për blerje mallrash konsumi apo prona, zë pjesën kryesore.
Në ditët e sotme, politikanët dhe në masë shqiptarët të mbushin mendjen se janë indiferent ndaj hedonizmit apo mënyrës sesi e përcaktojnë kënaqësinë, por të mjafton e gjithë struktura e jetës, programet dhe menutë që serviren në TV dhe rendja për të treguar kamje, e cila të bën të kuptosh se ne jemi në një lloj hedonizmi shoqëror, që nuk përkon me realitetin real të problematikave të pafundme që rëndojnë mbi shqiptarin. Ky i fundit, duket se kulmin e qëllimit ka të arrijë të jetë “i varur” ndaj hedonizmit shoqëror. Që në fakt është krejtësisht fake tek ne, kur mendon se një pjesë jo e vogël e publikut është në një krizë të tillë shoqërore-ekonomike, ku nuk kënaqet dot me asnjë lloj argëtimi dhe kënaqësie, pasi mendon thjesht sesi të arrijë e të mbijetojë të përditshmen. E kjo lloj shoqërie e sotme, me këtë lloj arsyetimi e polarizimi të frikshëm pasurie, po e vret hapur demokracinë. (Homo Albanicus)