Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka mbajtur fjalën e tij në KKIE për prezantimin progres-raportit të KE që i hap rrugën Shqipërisë për t’u ulur në Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE pas hapjes së negociatave.
Balla thekson se Shqipëria e sotme s’ka lidhje fare me Shqipërinë e 6 viteve më parë kur iu dha statusi i vendit kandidat.
Madje ai shton se raporti 125 faqësh është momenti i së vërtetës që tregon se Shqipëria vërtet ka avancuar.
Por sipas tij, BE kërkon ende përmirësim nga Shqipëria dhe ai vetë garanton se prioritet mbi prioritetet e mazhorancës do të jetë avancimi në reforma.
Fjala e Taulant Ballës:
Vetëm dy javë më parë ishim mbledhur në këtë Këshill për të diskutuar mbi përparësitë e realizuara nga vendi ynë vis a vis Kapitullit 23 si dhe prezantuam Planin e Masave për përmbushjen e përparësive të lëna nga Këshilli Evropian në mars të 2020.
Ja ku jemi mbledhur sërish sot për të përcjellë një mesazh të qartë nga Bashkimi Evropian që përpjekjet e vendit tonë në këtë rrugëtim kompleks u vlerësuan, dhe Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë të ecin me hapin e rradhës atë të mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur.
Gjatë këtyre ditëve të gjithë kemi dëgjuar të përsëritet në vazhdimësi refreni që Shqipëria me demek nuk ka përparuar në asnjë prioritet të lënë nga Këshilli. Ky është momenti i së vërtetës, ku secili të gjejë veten në raportin 125 faqësh, ku e zeza mbi të bardhë renditen arritjet e vendit, jo vetëm në përparësitë e vendosur nga Këshilli për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, por sipas Komisionit hapa janë regjistruar në të gjithë Kapitujt që Shqipëria duhet të negociojë për anëtarësim të plotë në familjen evropiane.
Megjithatë të nderuar duhet t’ju rikujtoj kontekstin në të cilin vendi i është dashur të përparojë. Në këtë vit raportimi, vendi kaloi një tërmet shkatërrues, pasojat ekonomike dhe sociale të së cilës do të na përndjekin për vite; si dhe jemi në fazën që po vazhdojmë të përballemi me pasojat e pandemisë së COVID-19, e cila po gjunjëzon ekonomi shumë më të zhvilluara se kjo e jona. Me këtë premise sigurisht çdo përparësi e realizuar nga Shqipëria merr një vlerë tjetër dhe dëshmon angazhimin e palëkundër të maxhorancës dhe të kësaj qeverie.
Nëse analizojmë arritjet e deritanishme dua që gjithsejcili prej nesh të rikthejë në vëmendjen e tij Shqipërinë e 6 viteve më parë kur Këshilli i Bashkimit Europian vendosi t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Ajo Shqipëri nuk ka kurrfarë ngjashmërie me Shqipërinë e sotme ku vendi pret mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare me një nivel përgatitje më të lartë se kurrë më parë. Dhe për këtë duhet të falenderojmë punën kostante të Komisionit dhe sigurisht delegacionit të BE-së në Shqipëri për mbështetjen e pakursyer për çuarjen përpara të axhendës së integrimit.
Megjithatë duhet të jemi të sinqertë me të gjithë qytetarët e këtij vendi të cilët pavarësisht mbështetjes në totalitet të këtij procesi, kërkojnë përmirësim të dukshëm në përditshmërinë e tyre. Dhe kjo është arsyeja themelore përse ne si maxhorancë do ta kemi gjithmonë prioritet mbi prioritetet avancimin në reforma sepse në fund të ditës përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Lajm i mirë për të gjithë rajonin ishte dhe “Plani i mbështetjes ekonomike dhe investimeve”, i cili këtë vit shoqëroi paketën e zgjerimit. Plani i ri përfaqëson një qasje të re ekonomike ndaj procesit të zgjerimit, pasi për sa kohë do të ekzistojë një hendek i theksuar ekonomik midis vendeve tona dhe vendeve anëtare të BE-së, nuk mund të ekzistojë një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe social. Ky plan ekonomik do të ketë një impakt pozitiv në shoqëritë tona i cili në pikëpamjen rajonale do të na ndihmojë të integrohemi më shumë mes veti, ndërsa së brendshmi do ta bëjë procesin e anëtarësimit më të besueshëm dhe të prekshëm për qytetarët.
Për të mos u zgjatur në detaje të tjera dhe për t’i lënë kohën e mjaftueshme Ambasadorit Soreca për prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit të Komisionit për Shqipërinë, po e mbyll fjalën time duke falenderuar Ambasadorin që zgjodhi Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian për të prezantuar raportin vjetor.
/e.rr