Në një intervistë për Roland Qafokun, studiuesi i njohur Aurel Plasari ka formuluar kritika të forta për qeverisjen dhe kreun e tij Edi Rama. Ka mjaft gjëra të drejta në ato që ai thotë për anët negative të Ramës dhe të ekzekutivit që ai drejton. Në thelb Plasari i faturon kryeministrit përgjegjësinë për ikjen e shqiptarëve, ekonominë dhe nivelin e demokracisë e parlamentarizmit.
Problemi i Plasarit nuk është se nuk ka të drejtë në ato që thotë, por sepse është selektiv në kritikat që bën. Ky është në fakt një fenomen i vjetër, i shtrirë gjerë e gjatë në shoqërinë shqiptare, ku intelektualët, profesionistët dhe teknokratët u konformuan politikisht jo vetëm në komunizëm nga halli, por edhe në demokraci. Në dy dekada e gjysëm, zëri i kësaj shtrese njerëzish të kulturuar e plot ide e projekte, u dëgjua rrallë në favor interesit publik, por shpesh e më shpesh në interes të njërit apo tjetrit kamp politik, ose për inat të njërit apo tjetrit, sipas konjukturave të momentit.
Plasari nuk është dëgjuar kurrë të shprehet për defektet e tetë viteve para qeverisjes së Ramës. Edhe atëhere kur xhamat e Bibliotekës Kombëtare, institucionit që drejtonte, janë dridhur nga jehona e shpërthimit të Gërdecit, apo përplasjet me armë në Bulevardin e Tiranës më 21 janar. Pa harruar këtu as bjerrjen e denegjerimin shumëplanësh të qeverisjes së dytë të Berishës, e cila s’ka qenë asnjë milimetër më e mirë se kjo e sotmja. Përkundrazi…