Socialistët do të mbledhin me disa muaj vonesë Asamblenë Kombëtare. Për shkak të pandemisë takimi i 350 anëtarëve do të bëhet tek Liqeni i Tiranës, në ambient të hapur.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, thotë për “ABC News” se elementi më i rëndësishëm i takimit do të jetë shpallja e një platforme nga ana e kryeministri Rama, ku çdo qytetar, pa parti, apo kundërshtar i PS-së, mund të marrë pjesë në vënien e notave për ministrat.
“Kemi nisur një proces ku po pyesim anëtarësinë e partisë për deputetë aktual. E njëjta gjë do të ndodhë edhe për ministrat, por në një hapje më të madhe. Nuk duhet të jenë vetëm anëtarësia e partisë, por duhet të jenë edhe qytetarët e këtij vendi, jo vetëm ata që na kanë besuar, por edhe ata që nuk na kanë besuar”, tha Balla.
Në këtë mënyrë, duket se në pritje të rezultatit të testit publik, ministrat mund të rrinë të qetë dhe zërat se qeveria mund të ndryshojë këtë të premte, të shuhen.
“Asambleja Kombëtare zgjedh një sërë organesh drejtuese, sikurse janë Kryesia e Partisë, Sekretariati, Komisioni qendror i Zgjedhjeve apo institucione të tjera”, tha ai.
Numri dy i socialistëve kujdeset të tregojë se reforma e brendshme e mazhorancës është më e vërtetë se ajo e demokratëve.
“Të mos flasim për farsa qesharake të larjes së hesapeve sepse më vjen keq për degradimin në dhunë në një prej degëve lokale të asaj që ka mbetur nga PD, ku persona me armë janë përplasur”, u shpreh ai.
Gabimin e gjen që në gjenezë. “Nga mënyra se si Lulzim Basha u zgjodh në krye të PD, me një proces farës është si puna e farës së hedhur.
Nëse fara nuk bën që në fillim nuk do të lulëzojë kurrë një lule që mund të ketë erë të mirë”, tha më tej Balla.
Axhenda e Asamblesë së PS-së:
Pjesa e parë
Hapja e mbledhjes.
Fjala e Kryetarit të Partisë dhe Kryeministrit, Edi RAMA.
Pjesa e dytë
Miratimi i Librit të Rregullave të Partisë:
Projekt -rregullore: “Organizimi dhe funksionimi i AK të Partisë” ;
Projekt- rregullore: “Organizimi dhe funksionimi i Kryesisë së Partisë”;
Projekt-rregullore: “Organizimi dhe funksionimi i Sekretariatit Ekzekutiv të Partisë”;
Projekt-rregullore: “Komisioni i Garancive Statutore dhe Etikës”;
Projekt-rregullore: “Kryefinancieri dhe Këshilli i Mbikëqyrjes Financiare të Partisë”;
Projekt-rregullore: “Strukturat organizative vendore të Partisë”;
Projekt-rregullore: “Grupi i këshilltarëve socialistë në bashki”;
Projekt-rregullore: “Strukturat elektorale vendore”;
Projekt-rregullore: “Kodi i Etikës në Parti”;
Projekt-rregullore: “Kodi i Zgjedhjeve në Parti”;
Projekt-rregullore: “Votëbesimi në parti”;
Projekt-rregullore: “Marrëdhëniet e partisë me Organizatat e tjera”;
Projekt-rregullore: “Dokumentacioni në parti dhe administrimi i tij”;
Mbyllja e mbledhjes
Shënim: E detyrueshme mbajtja e maskës nga pjesëmarrësit në mbledhje
/e.rr