Entela Safeti Kasi mësuesja e Anglishtes në shkollën “Qemal Stafa” dhe njëkohësisht ish mësuesja e djalit të madh të kryeministrit Edi Rama ditën e djeshme i është drejtuar me një letër të hapur kreut të qeverisë ku i shprehte shqetësimin për degradimin e sistemit arsimor në Shqipëri. Një ditë pas kësaj letre
ka qenë vetë drejtoresha e këtij gjimnazi Nina Guga e cila në një intervistë për News 24 është shprehur e keqardhur për këtë letër dhe ka hedhur poshtë akuzat për emërime politike.
“Jam ndjerë shumë e keqardhur për të thënë që jam ndier edhe e ofenduar nga kjo letër. Ajo kohët e fundit ka bërë disa mungesa për arsye shëndetësore dhe ditën e hënë ajo ka munguar në punë duke më lajmëruar mua që për arsye shëndetësore unë do të mungoj një javë dhe pas ardhjes than ë shkollë do të bisedojmë së bashku sepse gjithsesi ajo jep mëism në matura dhe për mua është një kosto. Ardhja ime në këtë pozicion nuk është as katapult politik as emërim politik sepse unë nuk aderoj në ndonjë parti dhe nuk lejoj që në shkollën time sa kohë që unë të jem drejtuese të bëhet një ndarje përkatësie partiake”, shprehet Nina Guga.
Drejtoresha e shkollës “Qemal Stafa” shprehet se mësuesja Entela Safeti Kasi ka qenë e vlerësuar maksimalisht në këtë shkollë madje ajo ka qenë pjesëmarrëse në aktivitete të stafit akademik duke dhënë kontributin e saj.
“Nëqoftëse do të sjellim në vëmendje se kush ka qenë vlerësimi i stafit drejtues gjatë vitit 20142015 për mësuesen ajo ka marrë vlerësimi “shumë i mirë” që mbahet në një dosje që e kemi ne, pra Znj.Entela ka marrë vlerësimin “shumë mirë” ndërkohë në të gjithë periudhën që ne kemi qenë së bashku në shkollë ajo ka pasur vlerësimin maksimal çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që ajo ka qenë e përfshirë në çdo grup pune që ne kemi ngritur, në çdo projekt dhe aktivitete të ndryshme dhe ka qenë aktive në këto grupe pune”, shtoi drejtoresha.
Në letrën drejtuar kryeministrit Rama mësuesja e Anglishtes në shkollën “Qemal Stafa” flet për katapultime amorale figurash të dyshimta, që sipas saj, u kryen politikisht në institucionet e arsimit, dhe më e keqja, persona të inkriminuar me të kaluar të errët në kohën e diktaturës, por drejtoresha e kësaj shkolle shprehet
- “Këtë terrorin politik unë nuk e kuptoj. Çfarë terrori politik ka ndodhur këtu në shkollë aq më shumë që këtu paska njerëz të inkriminuar dhe me dosje, por unë
nuk di që në këtë shkollë të ketë ndasi politike apo të ushtrohet një terror i tillë politik”.
Ndonëse letra në fund mbyllet me aktin e dorëheqjes nga mësimdhënia, drejtoresha Nina shprehet se mësuese Entela Kasi nuk ka paraqitur asnjë dorëheqje në shkollë por nëse ajo do të rikthehet të hënën në punë do të vazhdojë normalisht mësimdhënien në këtë gjimnaz./Balkanweb