Debate të forta në komisionin parlamentar të shëndetësisë, ku ministri Ilir Beqaj është thirrur për të raportuar. Fokusi i diskutimeve ka qenë shkurtimi i personelit në sistemin e shëndetësisë. Kryetarja e komisionit, deputetja demokrate Albana Vokshi ka akuzuar Ministrin Beqaj se ka hedhur në rrugë 600 familje në mbarë vendin me shkurtimet e bëra.
“Na dërgo informacione të sakta. Nuk është respektuar kodi i punës. Kjo është fushatë spastrimesh me personeli. Punonjësit do zëvendësohen me militantë. Mos mashtroni zoti ministër, pasi janë 600 familje që po u hiqni bukën e gojës. Gjeta kodin e punës. Ata kanë mbi 20 vite pune dhe rrezikojnë të marrin dhe pensionin. Jam e sigurt që këto lekë do venë për tendera si ai që i dhatë mikut tuaj për Sterilizimin.”- tha Vokshi.
“Nuk mund të pranoj që njerëz të ndryshëm të shkojnë në spital dhe të kthehen në shtëpi duke marrë rrogën kot, duke mos punuar”, tha Beqaj.
Deputetja Vokshi e akuzoi ministrin se po shkel ligjin për tenderat, duke thënë se Beqaj po ndërton një shtëpi në qytetin e Peruxhias, në Itali.
“A kanë lidhje këto fonde që po shkurtohen me një shtëpi që po ndërtohet në Perugia.”- tha Vokshi.
“Keni ca kohë që keni probleme me shtëpinë time, por problemet e shtëpisë time nuk i zgjidh dot. Merresh me kuzhinën time, me banesën time. Zgjidh problemet e tua, se ke probleme shtëpie”, iu përgjigji Beqaj.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj tha se bëhet fjalë për shkurtimin e 338 vendeve të punës në shërbimin spitalor në rang vendi. Beqaj shtoi se për vitin tjetër buxheti për sektorin e shëndetësisë do të jetë dhe më i larti në 15 vite. Beqaj tha se nuk janë hequr mjekë nga puna, por personel dytësor apo tretësor( infermierë, sanitarë). Për vitin e ardhshëm, Ministri Shëndetësisë Ilir Beqaj tha se që në janar do të shtohen në rang vendi rreth 230 infermierë të rinj. Në lidhje me QSUT, Beqaj tha se janë shtuar deri më tani rreth 120 infermierë.
Por deputeti i LSI-së Petrit Vasili tha se shëndetësia është sektori më i gabuar për të bërë shkurtime.
“I vetmi kompromis që nuk e kam bërë dot kur isha ministër, ishte të hiqja personel. Në të gjitha rastet e historive ku administrata ka pasur nevojë,, shëndetësia nuk është shkurtuar pasi, ka qënë gjithmonë me një personel që i përdorur mirë ka qënë nën nivelin e kërkuar. Shkurtimet që kanë ndodhur kanë qënë traumatike sa herë që kanë ndodhur”, tha Vasili.