I ftuar në emisionin Repolitix, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka shprehur kritika për qëndrimin e opozitës së bashkuar pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Ai tha se opozita duhet të mbante një qëndrim më të ashpër dhe mund të shkonte deri në protesta.
“Përsa i përket asaj të Presidentit dihet që do ta kthejë. Problemi është që a do të ketë ndonjë reagim. Ka një shpresë të vakët. Për vete do të kisha një qëndrim më të ashpër. Nëse në raste të tjera është ndihmuar, opozita kishte në krah shoqërinë civile, ndërkombëtarët dhe qytetarët. Do bëja protesta qoftë dhe simbolike. Nuk më duket normale që kjo të kalohet kaq lehtë. Një kod zgjedhor nuk mund të kalohet në mënyrë të njëanshme. Duhet marrë opinioni i opozitës. Ai bëri siç donte vetë. Mori për bazë ndërhyrjen e ndërkombëtarëve por në fund fare bëri siç donte vetë” – tha Duka.