Kryeministri Edi Rama në një prononcim për mediat deklaroi se nga Partia Socialiste vijnë gjithmonë lajme për të ardhmen.
Pas takimit që zhvilloi me drejtuesit politikë në qarqe, në kuadër të fushatës zgjedhore, kryeministri tha se pas pak ditësh do të dalë dhe kërkesa për vlerësim për ministrat që do të jetë edhe përtej anëtarësisë.
“Ndoshta s’keni faj se i vetmi lajm për të ardhmen vjen nga PS. Të gjitha të tjerat janë o lajme shumë të vjetra, ose burime të thara informacioni. Ne vazhdojmë punën, diskutojmë për gjendjen në të gjitha aspektet në çdo komunitet. Jemi në procesin e një ndërveprimi të ri me anëtarësinë që ka filluar të marrë ato kodet dixhitale për të dhënë vlerësimin për deputetët e qarkut. Pas pak ditësh do të dalë dhe kërkesa për vlerësim për ministrat që do të jetë edhe përtej anëtarësisë. Ata që do të jenë të interesuar, do të mund të hyjnë për të bërë investim. Ndërkohë përgatisim hapin e tretë që është ftesa për të konsideruar shprehje interesi për të përfaqësuar PS në parlament.”, -tha Rama.
Teksa u pyet per progres-raportin e BE-së, Rama pohoi se nuk e ka lexuar ende.
“Për hir të së vërtetës nuk e kam lexuar ende progres raportin sepse kam qenë gjithë ditën i angazhuar me punë të tjera, nesër do pres komisionerin. Më vjen mirë që progres raporti është një pasqyrë krejt e ndryshme nga pasqyra që përpiqet t’i vënë çdo ditë përpara ata që flasin në emër të Europës. Ashtu sikundër më vjen mirë që edhe deklarata e BE-së në lidhje me reformën zgjedhore ishte krejt ndryshe nga ajo që u tha duke parashikuar re të zeza për Shqipërinë duke hedhur një re e tym që ta kapë kush ta kapë dhe të çoroditet kush ka për t’u çoroditur.”, pohoi Rama.
Mire e thua , Qente le te lehin karvani ecen para. BE dhe komisjoneri per zgjerin kane sy e veshe dhe dine te dallojne te mencurin dhe te drejtin nga rrufjanet e politikes shqiptare.