Rusia do të mbështesë Francën në luftën kundër Shtetit Islamik. Pas “ftohjes” së marrëdhënieve midis Francës dhe Rusisë pas ndëryrjeve të kësaj të fundit në Ukrainë, duket se në marrëdhëniet midis dy vendeve po “fryn” një erë. Synimi i përbashkët është shkatërrimi i ISIS.
Presidenti i Framcës François Hollande udhëtoi drejt Kremlinit të enjten, ku zhvilloi një takim kokë më kokë me homologun e tij rus. Hollande insistoi gjatë konferencës se bashkimi i shumë shteteve do të jetë arma e duhur kundër terrorizmit.
“Armiku ynë i përbashkët është ISIS, i cili ka një territor, një ushtri dhe burime financiare, ndaj ne duhet të krijojmë një koalicion të madh për të shfarosur këta terroristë. Unë jam në Moskë me ju për të koordinuar sesi mund të veprojmë së bashku për të goditur ISIS, por njëkohësisht edhe për të gjetur një zgjidhje për paqe në Siri”, tha Hollande.
Por ndryshe nga qëndrimi i Putin, presidenti francez tha se Assad nuk ka më vend në Siri. E ndërsa kur Hollande e cilësoi ISIS-in si armik të përbashkët të Parisit me Moskën, ai iu referua rrëzimit të avionit rus mbi gadishullin e Sinait në Egjipt, ku 224 vetë humbën jetën. Putin deklaroi se Moska është e gatshme të bashkohet me Francën në këtë betejë. Po ashtu, ata rakorduan për një shkëmbim më të madh të informacionit mes shërbimeve të inteligjencës.
Disa analistë thanë se fakti që të dy liderët shmangen shikimin në sy me njëri-tjetrin, kjo tregon se marrëdhënien ende të vështira midis Rusisë dhe Perëndimit. Por të tjerë ekspertë të çështjeve ndërkombëtare e cilësuan vizitën e Hollande në Moskë si një “erë të re” mes dy vendeve, ndonëse jo aq e forte sa aleanca e mëparshme, para se të ndodhte konflikti i Ukrainës.
Një diplomat tha për “Le Monde”, se tani francezet janë më tepër të përgatitur sesa Barack Obama për të bashkëpunuar me Rusinë, pasi sipas tij, koordinimi i Uashingtonit dhe Moskës mbetet një vizion i largët. Por ajo që Franca për momentin kërkon është suporti i sa më shumë shteteve kundër terrorizmit, ndaj disa ekspertë të çështjeve ndërkombëtare mendojnë se Parisi do të luajë rol neutralizues edhe në raportin e acaruar Rusi-Turqi pas rrëzimit të avionit ditë më parë.