Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Mësohet se sot OFL-ja ka zbritur në Berat e Kuçovë ku ju kërkon të dënuarve Elion Fizi (Mati), Fatbardh Dulla, Ritvan Caka, Mariglen Marko burimin e pasurisë.
NJOFTIMI I PLOTE
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
E. F. (M.), banues në Kuçovë, i dënuar në Zvicër, për veprën penale “Shitja e lëndëve narkotike”;
F. D., banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
R. C., banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë;
M. M., banues në Berat, i dënuar në Greqi, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e mbetur në tentativë.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.