Një gjykatë në Uells ka dënuar me tre vite në total, dy shtetas shqiptarë të cilët u kapën duke kultivuar kanabis në një fermë, e cila ishte improvizuar në një lokal që ishte jashtë përdorimit.
Dy shqiptarët, të identifikuar si Elson Kryemadhi dhe Arben Matrapazi ishin futur në territorin britanik në mënyrë kontrabandë dhe u kapën duke kultivuar drogë në 6 maj të këtij viti.
Arrestimi i tyre u bë pas raportimeve të banorëve të zonës, të cilët thanë se kishin parë veprimtarinë e dyshimtë të dy shqiptarëve.
Pas kontrollit që bënë në fermë, policia i gjeti 190 bimë narkotike kanabis sativa dhe pajisjet me të cilat droga kultivohej. Sipas autoriteteve britanike, vlera e drogës kapte shifrën e 50 mijë paundëve.
Sipas prokurorisë, 28-vjeçari i kishte thënë policisë së kishte mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar në dhjetor të 2019 dhe kishte paguar 13 mijë paund.
Të dy shqiptarët pranuan se punonin për prodhimin e kanabisit.
Sipas mediave Elson Kryemadhi nuk ishte i dënuar më parë, ndërsa 53-vjeçarin Arben Matrapazi ka qenë i dënuar për trafik droge në itali me 16 vite burg, por ishte liruar në vitn 2015.
Avokati i Elson Kryemadhit tha se klienti i tij kishte qenë i sinqertë me policinë që në fillim, duke i treguar atyre se kishte mbërritur në Angli me borxhin mbi kurriz që i kishte pasur trafikantëve.
Ndërsa avokati i 53-vjeçarit tha se ai kishte ardhur në Mbretërinë e Bashkuar “për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten e tij” por “ishte përfshirë shpejt me një grup të gabuar njerëzish”.
Në përfundim Kryemadhi u dënua me 12 muaj burg dhe Matrapaei me dy vite burg.
Pasi tha vendimin, gjykatësi tha se çfarë do të ndodhte me të pandehurit pas lirimit të tyre ishte një çështje e autoriteteve të imigracionit.
g.kosovari