Shumë vende europiane po shqyrtojnë mundësinë e ashpërsimit të masave, teksa ditët e fundit COVID-19 po njeh ritme rekord përhapjeje.
Qeveria italiane po shqyrton mundësinë e miratimit të një pakete të re masash të ashpra që parashikojnë mbylljen e bareve dhe restoranteve pas orës 22:00, mbajtjen e detyrueshme të masakave në ambientet e jashtme publike, në zonat ku ka shtim të rasteve të infektimeve dhe nxjerrjen e ushtrisë për të mbikqyrur zbatimin e masave.
24 orëshi i fundit shënoi mbi 2800 raste të reja infektimesh dhe 27 të vdekur. Bëhet fjalë për shifra rekord që prej kapërcimit të fazës së parë të pandemisë në periudhën Mars – Maj.
Infektime rekord edhe në Francë ku 24 orëshi i fundit shënoi gati 17 mijë të infektuar të tjerë, një shifër që nuk është arritur ndonjëherë që prej fillimit të pandemisë. Shumica e rasteve të reja janë në Paris, atje ku autoritetet po ashtu po shqyrtojnë mundësinë e mbylljes së bareve dhe restoranteve pas orës 22:00.
Rekorde absolute shënoi edhe Britania e Madhe, ku për të parën herë prej nisjes së pandemisë pati gati 13 mijë infektime ditore.
Rekord infektimesh ditore edhe në Gjermani. Lehtësimi i masave në Australi dhe dyndja masive në plazhe ka rikthyer numrat dyshifrorë të infektimeve ditore.
/a.r